Rashkovski nuk ka pronë, gjithçka u ka transferuar fëmijëve të tij

Nga 17 dhjetori i vitit të kaluar deri më 21 janar të këtij viti, Dragi Rashkovski transferoi të gjithë pronën në emër të fëmijëve të mitur, që janë para moshës shkollore. Ish Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë nuk ka më asgjë në emrin e tij. Tani, fëmijët përveç apartamentit në Shkup prej 65 metra katrorë, posedojnë plotësisht 11 mijë metra katrorë në lagjen Pobozhje rrëzë Karadakut të Shkupit, ku familja Rashkovski duhet të ndërtojë një shtëpi luksoze prej 800 metra katrorë. Sipas burimeve nga Antikorrupsioni, më 25 janar, kur ka përfunduar procesi i transferimit të pronës, Dragi Rashkovski nga komuna Çuçer Sandevo mori konfirmimin se dy parcelat, ku ai do të ndërtojë janë në lagje, por edhe gjithashtu se hapësira është në zonë ndërtimi.

Bëhet fjalë për një total prej 2195 metra katrorë, ku duhet të ndërtohet një vilë ekstra luksoze prej 800 metrash katrorë. Alsat javën e kaluar njoftoi se fëmijët e mitur të Rashkovskit duhet të investojnë në ndërtimin e një vile luksoze në Pobozhje. Sipas projektit në të cilin kishim qasje, në vilë parashihet pishinë, palestër, dhomë bilardo, bodrum vere dhe shumë komoditete të tjera. Rashkovski kurrë nuk u përgjigj se sa do të kushtojë ndërtimi i një objekti të tillë luksoz. Prandaj konsultuam një inxhinier ndërtimi i cili përllogariti se ndërtimi i objektit deri në karabinë, së bashku me punët artizanale brenda, do të kushtonte mbi 400 mijë euro. Vetëm nivelimi i terrenit me ekskavatorë kushton rreth dy euro për metër katror. Familja Rashkovski lejen e ndërtimit e dorëzoi në komunën Çuçer Sandevë javën e kaluar, dhe sipas projektit në emër të komunaleve, ata do të duhet të paguajnë afër 8 mijë euro për shtëpinë luksoze. Dragi Rashkovski është në arrest shtëpiak që nga e premtja, për prokurimin e softverit të trafikut, derisa ishte sekretar i përgjithshëm i qeverisë. Prokuroria sot apeloi vendimin e Penales, sepse ata nga e premtja kërkuan paraburgim efektiv për Rashkovskin. Sipas shpjegimit të gjykatës nga java e kaluar, ndaj tij u përcaktua masa e arrestit shtëpiak, sepse Rashkovski nuk kishte pronë në emrin e tij personal, megjithëse prokuroria, ndër të tjera, ka frikë se ai mund të ndikojë në dëshmitarë.

Bojan Stojanovski

LEXO EDHE:

Back to top button