Rastet e reja me COVID-19 shkaktojnë alarm në Kinë

Autoritetet në kryeqytetin kinez, Pekin kanë testuar gati 1.3 milionë njerëz teksa infeksionet e reja janë shfaqur në prag të Vitit të Ri kur miliona dynden në qytet.

Numri i infeksioneve të reja në Pekin është rritur në 20 gjatë javës së kaluar, njoftoi sot e përditshmja kineze “Global Times”.

Të gjitha 1.28 milionë testet janë bërë në rrethin Shunyi të kryeqytetit dhe deri më tani, 1.23 milionë u kthyen negativë.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës theksoi se shtatë raste të reja u raportuan në Shunyi të hënën.

Në përgjithësi, 27 infeksione të reja u raportuan në të gjithë Kinën, nga të cilat 15 u transmetuan lokalisht. Javën e kaluar, disa raste u raportuan në qytetin port verilindor Dalian.

Kthimi i infeksioneve vdekjeprurëse të COVID-19 vjen në një kohë kur viti 2020 mbaron dhe qytetet e mëdha dëshmojnë turma njerëzish që janë kryesisht me pushime ose që kthehen në shtëpi për të kaluar kohën me familjet.

Mes frikës nga kthimi masiv i infeksioneve, autoritetet lokale në Pekin dhe qytete të tjera i kanë nxitur njerëzit të mos udhëtojnë gjatë pushimeve.

Zyrtarët në Pekin u drejtuan altoparlantëve, duke u bërë thirrje vendasve “të mos largohen nga Pekini dhe të respektonin me përpikëri rregullat dhe masat anti-epidemike”. Gjithashtu, autoritetet kanë këshilluar njerëzit të mos mbajnë tubime të mëdha.

Në provincat Guangzhou të Kinës jugore, agjencitë e udhëtimit madje kanë pezulluar shërbimet e tyre në kryeqytet derisa festimet e Vitit të Ri gjithashtu janë anuluar në disa vende.

Rastet e para me COVID-19 u raportuan në Wuhan, Kinë në dhjetor të vitit 2019. Pekini ka mohuar që Kina është origjina e sëmundjes vdekjeprurëse e cila ka prekur mbi 70 milionë njerëz në të gjithë botën. Më shumë se 1.7 milionë kanë humbur jetën nga COVID-19.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Kinë u rrit në 87.003, përfshirë 4.634 vdekje.

LEXO EDHE:

Back to top button