Reagime në të dy anët e kufirit pas ndalimit të zyrtarëve të VLEN-it në Qafë-Thanë
Gazetare: Albina Ramadani
Reagime të shumta në opinion pas ndalimit të zyrtarëve të VLEN-it në pikën kufitare në Qafë-Thanë. Zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, deklaroi për TV Alsat se ndalimi në pikën kufitare në Qafë Thanë kishte ardhur si pasojë e një kufizimi të përkohshëm të hyrjes në Republikën e Shqipërisë për njërin prej bashkëudhëtarëve të tyre. Ai theksoi se personi në fjalë nuk mban post politik dhe as nuk është funksionar.
“Gati një orë kemi pritur aty, na u tha se njëri nga bashkë udhëtarët tanë që nuk mban as pozitë politike as nuk është funksionarë e ka të ndaluar përkohësisht hyrjen në Republikën e Shqipërisë dhe ne si tre funksionarë të VLEN-it e kemi të drejtën për të hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Hasim Murtezani, zëvendës sekretar i përgjithshëm i Qeverisë Hasim.
Pas kësaj, Murtezani tha se bashkë kishin vendosur të kthehen. Ai hodhi poshtë pretendimet se ai dhe dy zyrtarët të VLEN-it janë shpallur persona të padëshiruar apo janë në “lista të zeza”.
“Dëshirat dhe fantazitë e BDI-së për të na parë nëpër listat e zeza janë vetëm fërkim duarsh dhe asgjë tjetër, BDI-ja shumë shpejtë do ta kuptojë se do të shkojmë edhe në pushim tash për vikend dhe do t’ua bëjë një foto prej në deti, dhe prej në Tiranë duke i përshëndetur të gjitha ata që menduan se na kanë shpallur në lista të zeza”, theksoi Hasim Murtezani, zëvendës sekretar i përgjithshëm i Qeverisë.
Autoritetet shqiptare njoftuan se katër shtetas u paraqitën në pikën kufitare të Qafë-Thanës, tre prej tyre me pasaporta diplomatike. Sipas Drejtorit të Policisë, Skënder Hita, tre mund të kalonin kufirin, ndërsa njëri u ndal për mungesë dokumentacioni. Si rezultat, tre personat e tjerë vendosën të mos ndaheshin dhe u kthyen drejt Maqedonisë së Veriut.
“Policia e Shtetit dhe policia kufitare është garant i respektimit të ligjit. Në Kufi, në Qafë-Thanë, u paraqitën 4 shtetas, 3 me pasaporta diplomatike. 3 prej tyre iu është bërë me dije që të vazhdonin kalimin, një prej tyre nuk a mundur të udhëtojë, pasi nuk ka pasur dokumentacionet. Këta 3 persona të tjerë nuk kanë pranuar të ndahen dhe janë drejtuar drejt Maqedonisë së Veriut”, tha Skënder Hita, Drejtor i Policisë.
Në një konferencë për shtyp në Tiranë, ministrja e Shqipërisë për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se ndalesa nuk ka pasur si arsye pjesëmarrjen ose ndërhyrjen e zyrtarëve të VLEN-it në protestën në Tiranë.
“Dua të theksoi që nuk ka pasur nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë lloj episodi lidhje me pjesëmarrjen ose jo të këtyre zyrtarëve në protestë”, theksoi Adea Pirdeni, Ministre e Administratës dhe Antikorrupsionit.
Ndalesa e deputetëve të VLEN-it, Bekim Qoku dhe Adnan Azizi, së bashku me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Hasim Murtezani, ndodhi një ditë më parë, kurse fotografi dhe video u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale./Alsat.mk.








