Rrustemi dhe Boçvarski njëzëri: Mbikëqyrja e korridoreve në përputhje me ligjin

Rrustemi dhe Boçvarski njëzëri: Mbikëqyrja e korridoreve në përputhje me ligjin

Gazetar: Adrian Kerimi

Qeveria dhe IRD Inzhinjering këmbëngulin se nuk ka asgjë kontestuese brenda kompanive që do t’i mbikëqyrin punimet e konzorciumit ndërkombëtar “Bechtel&Enka” në Korridoret 8 dhe 10-D. Në një takim me gazetarët ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, drejtori i NP Rrugët Shtetërore, Ejup Rrustemi dhe përfaqësuesi i IRD Inzhinjering në vend Darko Spiroski hodhën poshtë sipas tyre pretendimet e mediave se brenda grupit të kompanive që bëjnë mbikëqyrjen e punimeve ka kompani me besueshmëri të cenuar.

Interesi i gazetarëve ishte kryesisht në imazhin e kompanisë “Evrokonsallting” e themeluar nga Branisllav Dimitrijeviq, person me akuza për mashtrim dhe vepra të tjera kriminale nga organet e ndjekjes penale në Armeni. Gjithashtu interesi i mediave u fokusuar edhe tek kompania spanjolle “EPTISA” dhe vendimi i Qeverisë për ta shpallur atë si kompani që vepron në mënyrë jo ligjore. Gjatë prokurimit publik, sipas përfaqësuesve të Qeverisë dhe Spiroskit janë respektuar të gjitha dispozitat ligjore. Sipas tyre, sistemi për prokurime publike kërkon kushtet të theksuara por në mënyrë kufizues dhe se Komisioni për evaulim nuk ka kompetenca hetuese.

Respektivisht, që një kompani t’i futet tenderit të caktuar, sistemi i prokurimeve publike kushtëzon që kompania të mos ketë referenca negative, të mos jetë në procedurë falimentimi dhe të mos ketë licencë të konfiskuar. Megjithëse për personat fizik thonë se Ligji për Prokurimet Publike i përshtatet praktikave të vendeve nga janë personat. Nëse autoritetet e shtetit ku jeton personi fizik kërkon dëshmi për pandëshkueshmëri penale dhe procedurë hetimore, një gjë të tillë kërkohet edhe te ne, në rast se jo, një filtër i tillë kalohet me deklaratë të noterizuar. Në rastin konkret dëshmi nga evidenca penale nuk është kërkuar për asnjë person fizik. Rrustemi tha se të gjitha procedurat ligjore janë respektuar dhe gjithçka ka qenë transparente.

“Kjo procedurë ka kaluar edhe në kontrollin administrativ në Byronë e Prokurimeve Publike dhe njëkohësisht edhe palët të cilët kishin ankesa në shkallën e dytë, ankesat e tyre u hodhën poshtë”, deklaroi Ejup Rrustemi, Drejtor i NP Rrugët Shtetërore.

Ndërkohë sipas Boçvarskit në të gjithë këtë situatë rëndësi ka ndërtimi i korridoreve sa më shpejtë të jetë e mundur.

“Korridoret 8 dhe 10-D sa më shpejtë të jetë e mundur të përfundojnë me qëllim që Maqedonia e Veriut të jetë shtetit qendër e kryqëzimit të korridoreve”, u shpreh Bllagoj Boçvarski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Boçvarski, Rrustemi dhe Spiroski dhanë edhe detaje për koston e projektit, zbatimin e tij dhe vështirësitë e mundshme në terren.

Megjithëse akoma të pasqaruara për opinionin mbetën pyetjet: se si askush nga organi ekzekutiv, organet hetuese apo kompania udhëheqëse e mbikëqyrjes së punimeve nuk pa asgjë kontestuese tek kompania “Evrokonsalltin” e Branisllav Dimitrijeviq, akuzat kundër tij në Armeni dhe arrestimi me flet arrest nga Interpoli? Si u bë që EPTISA të angazhohet dhe arsyet e shpalljes saj në vitin 2020 si kompani që vepron në mënyrë jo ligjore të mbeten akoma misterioze? Si nuk e pati parasysh askush se njeriu që akuzohet për mashtrim në mbikëqyrje gjatë punimeve në Armeni, do të mbikëqyr një projekt historik sipas Qeverisë dhe mbi gjitha pse kompania italiane IRD Inzhinjering nuk ka mbajtur aspak llogari për besueshmërinë e kompanive me të cilat bashkë do të mbikëqyrin punimet. Derisa dyshimet do t’i zbardhin mediat dhe jo autoritetet, më 22 prill pritet fillimi i punimeve në të dyja korridoret paralelisht. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button