Rusia intensifikon ofensivën në lindje, Zelenski: Rusia po kryen gjenocid

Rusia intensifikon ofensivën në lindje, Zelenski: Rusia po kryen gjenocid

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, tha se forcat ruse kanë “shkatërruar plotësisht” rajonin ukrainas të Donbasit, teksa Moska ka intensifikuar ofensivën në lindje. Zelensky po ashtu akuzoi forcat ruse se po tentojnë të vrasin sa më shumë ukrainas dhe të shkaktojnë sa më shumë dëme që munden, duke përsëritur akuzat se Rusia po kryen gjenocid.

“Forcat ukrainase vazhdojnë çlirimin e Harkivit. Por në Donbas, pushtuesit po përpiqen të rrisin presionin. Bombardimi brutal dhe absolutisht i pakuptimtë i Severodonetsk la 12 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në vetëm një ditë. Bombardimet dhe granatimet e qyteteve të tjera, sulmet ajrore dhe raketore të ushtrisë ruse nuk ndalen. Kjo është një tentativë e qëllimshme dhe kriminale për të vrarë sa më shumë ukrainas, për të shkatërruar sa më shumë shtëpi. Kjo është ajo që do të cilësohet si gjenocid ndaj popullit ukrainas dhe për të cilën pushtuesit patjetër do të dalin para drejtësisë”, tha Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha se Rusia ka të ngjarë që të përforcojë operacionet e saj në rajonin e Donbasit, pasi të sigurojë qytetin e Maariupolit. Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe pasi në javët e para dështoi që të merrte nën kontroll Kievin dhe qytete të tjera kyçe, Moska përqendroi ofensivën e saj në rajonin lindor të Donbasit. Në të dhënat e përditësuara për luftën në Ukrainë, inteligjenca ushtarake britanike tha se pothuajse 1,700 ushtarë ukrainas janë larguar nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol. Rusia një ditë më parë tha se 1,730 ushtarë ukrainas janë “dorëzuar” në Azovstal. Ukraina ka thënë se dëshiron të këmbejë të burgosurit, por nuk ka komentuar më shumë për këtë temë, pasi ka argumentuar se mund të vë në rrezik përpjekjet e shpëtimit. Raportohet se të gjithë luftëtarët e larguar nga Azovstali janë transferuar në territore në lindje të Ukrainës që kontrollohen nga separatistët pro-rusë. Ende është e paqartë se edhe sa ushtarë gjenden në fabrikë, por qyteti i Mariupolit tani është nën kontrollin rus. Luftëtarët në Azovstal ishin qëndresa e fundit në Mariupolin e shkatërruar nga bombardimet ruse. Ukraina urdhëroi që luftëtarët të dorëzonin armët dhe të largoheshin nga fabrika./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button