Sali: S’ka rezervime për punësime

Gazetar: Suad Bajrami

Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat gjatë punësimit, do t’i japë përparësi biografisë së kandidatit e jo përkatësisë etnike. Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, në intervistën për Alsat tha se nuk do të mund të rezervohen vende punësimi për bashkësitë etnike, model sipas të cilit funksiononte instrumenti i Balancuesit i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në tetor të vitit 2024.

“Duke e pasur parasysh se cilësia është para përkatësisë etnike, domethënë në një formë do të duhet që paralelisht të shtyhen të dyja. Por nëse keni konkurs në të cilin kërkohet një profil i caktuar me kritere të caktuara dhe nuk paraqitet asnjë përkatës i një etnie e cila nuk ka realizuar ndonjë punësim në administratë në konkurset e mëparshme, ne nuk mundemi ta rezervojmë atë vend pune për shkak se patjetër duhet të jetë e një etnie përkatëse dhe kjo është ajo detyra e Trupit Koordinues e cila në periudhë trevjeçare do t’i ndjekë të gjitha konkurset”, deklaroi Bekim Sali, Zëvendëskryeministër.

Trupi Koordinues sipas ligjit do të themelohet me vendim të Qeverisë, i cili do të ndjekë dhe garantojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat nëpër institucione. Organin do ta udhëheqës zëvendëskryeministri i parë, ndërsa pjesë do të tij do të jenë ministri i Administratës, Bashkësisë mes Komuniteteve, Financave, do të ketë përfaqësues nga OJQ-të dhe katër komunitete të tjera etnike. Megjithatë, nëse ndonjë funksionar e shkel ligjin, sipas Salit do të merren masa, por jo gjoba.
“Nuk është paraparë që të jetë gjoba për këtë procedurë, por Trupi Koordinues do të raportojë Qeverisë për mbarëvajtjen e procesit. Aty ku ka vërejtje serioze për mosimpementim, për keqpërdorim e kështu me radhë do të merren masa politike, kushtimisht thënë. Vërejtjet do të adresohen në institucionin në të cilin nuk implementohet ligji”, theksoi Bekim Sali, Zëvendëskryeministër.

Në përputhje me rekomandimin e Komisionit të Venecias, deklarimi i përkatësisë etnike nuk është i obliguar. Përkatësia etnike e një kandidati gjatë punësimit do të merret sipas gjuhës që e ka letërnjoftimin./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button