Scholz: Putini nuk do t’i arrijë qëllimet e tij imperialiste në Ukrainë

Scholz: Putini nuk do t'i arrijë qëllimet e tij imperialiste në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin “nuk do t’i arrijë qëllimet e tij imperialiste” në Ukrainë, tha sot kancelari gjerman Olaf Scholz në një videomesazh me rastin e përvjetorit të parë të pushtimit rus.

“Sa më shpejt presidenti rus të kuptojë se nuk do t’i arrijë qëllimet e tij imperialiste, aq më të mëdha janë shanset për një përfundim të hershëm të luftës,” tha ai.

Scholz tha se Putini ka aftësinë “t’i japë fund kësaj lufte”.

“Putini i ka të gjitha letrat në duar. Ai mund t’i japë fund kësaj lufte,” tha Scholz, raporton Beta-France Press.

“Presidenti rus dështoi. Vladimir Putin llogariti në ndarje dhe ndodhi e kundërta”, duke shtuar se “Ukraina është më e bashkuar se kurrë” dhe “Bashkimi Europian është i bashkuar”.

Kancelari gjerman siguroi Kievin për “mbështetjen e Berlinit”, duke theksuar “vendosmërinë dhe guximin e ukrainasve”.

Megjithatë, Scholz shtoi se Gjermania do të bëjë “gjithçka për të shmangur një përshkallëzim të luftës midis Rusisë dhe NATO-s”.

Ai shprehu gjithashtu kënaqësinë për faktin se Gjermania, e cila para luftës ishte veçanërisht e varur nga furnizimet me energji nga Moska, “e hoqi qafe energjinë ruse brenda një viti”.

“Ne kemi mjaft gaz dhe naftë, ekonomia nuk është në një recesion të thellë,” tha Scholz.

LEXO EDHE:

Back to top button