Sergjan Lazoviq dënohet me 12 vjet e 6 muaj burg për krime lufte në Malishevë
Sergjan Lazoviq dënohet me 12 vjet e 6 muaj burg për krime lufte në Malishevë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj pjesëtarit të xhandamërisë serbe, Sërgjan Lazoviçit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë. Gjykata e ka dënuar atë me 12 vjet e 6 muaj burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Sipas aktgjykimit, Lazoviçi akuzohet se në periudhën 1998-1999, gjatë luftës në Kosovë, në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës, duke vepruar së bashku me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Nga 3 deri më 5 shtator 1998, ai dyshohet se ka marrë pjesë në arrestime, ndalime të kundërligjshme, tortura dhe keqtrajtime fizike e psikike ndaj rreth 500 civilëve shqiptarë, me qëllim frikësimin, dëbimin masiv dhe spastrimin etnik të popullatës. /Alsat.mk








