Shqipëri, inflacioni i lartë, sërish rritje të normës bazë të interesit

Shqipëri, inflacioni i lartë, do rrisë sërish të normës bazë të interesit

Banka e Shqipërisë njoftoi të mërkurën se ka vendosur të rrisë sërish normën bazë të interesit, në përpjekje për t’iu kundërpërgjigjur rritjes së shpejtë të inflacionit, përtej parashikimeve të saj.

Me vendimin e sotëm të Këshillit mbikqyrës së Bankës qendrore, norma baza rritet me 0,5 pikë përqindje, duke u ngjitur në kuotën e 2.25 përqind.

Për 11 vite me radhë, norma bazë e interesit njohu vetëm ulje, duke rënë në kuotën më të ulët historike prej 0.5 përqind. Nivel në të cilin qëndroi më pas e pandryshuar prej dy vitesh, deri kur në mars të këtij viti, Banka u detyrua të ndërhyjë, pas shenjave të para të rritjes së inflacionit. Dy ndërhyrje të tjera pasuan në muajt korrik dhe gusht. Vendimi i sotëm, është i katërti i radhës, në harkun e gati 6 muajve.

“Normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni tejet stimulues i saj në trajtat aktuale në një pozicion më neutral, është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Në këtë këndvështrim, ky normalizim i shërben stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit, rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë dhe përmirësimit të mirëqenies sociale”, deklaroi guvernatori Gent Sejko.

Ndërsa në Janar inflacioni ishte në kuotat e 3.7 përqind, në korrik dhe gusht u ngjit në nivele të larta, respektivisht prej 7.5 dhe 8 përqind. Sipas Këshillit Mbikqyrës “rritja e shpejtë e çmimeve mbetet rreziku kryesor për stabilitetin monetar e financiar të vendit dhe për rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të tij”.

Rritja ekonomike e vendit ka dhënë gjithashtu shenja ngadalësimi. Sipas Institutit shqiptar të statistikave, Prodhimi i brendshëm bruto zbriti në nivelin 2.2 përqind në tremujorin e dytë, nga 6.5% në tremujorin pararendës. “Reduktimi i rritjes pasqyroi, në masën më të madhe, ngadalësimin e shpejtë të aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe të industrisë. Megjithatë, shenja të ngadalësimit ishin të pranishme edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë”, shpjegoi guvernatori Sejko.

LEXO EDHE:

Back to top button