Sistemi EES, pritje të gjata në kufij

Gazetar: Angell Dimovski

Sekretariati i Komunitetit të Transportit po shqyrton mënyra për zgjidhjen e problemit me pritjet disaorëshe në kufij dhe aeroporte, që u krijuan pas vendosjes së sistemit të ri EES. Deputetja nga VMRO-DPMNE, Eli Panova, në seancë parlamentare e pyeti drejtorin e Sekretariatit, i cili është përgjegjës për sigurinë në rrugë, se sa është e sigurt që udhëtarët të presin me orë të tëra për kalim kufitar, duke pasur parasysh se sistemi i ri kërkon skanim të fytyrës dhe marrje të gjurmëve të gishtërinjve.

“Që nga zbatimi i fundit i sistemit në kufijtë me Bashkimin Evropian ka bllokime të mëdha të automjeteve, ku transportohen udhëtarë që kanë vendosur të udhëtojnë dhe të shëtisin. E njëjta gjë po ndodh në kufirin me Greqinë dhe Kroacinë – pritet nga pesë deri në gjashtë orë. E gjithë kjo shkakton nervozizëm të madh; pavarësisht sa të shpejta apo të sigurta janë autostradat, kur fëmijë dhe të rritur qëndrojnë në diell për pesë apo gjashtë orë, mendoj se kjo është e pasigurt”, deklaroi Eli Panova, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Matej Zakonjshek, përfaqësues i Komunitetit të Transportit pranë Komisionit Evropian, deklaroi se për të gjetur një zgjidhje janë identifikuar 11 pikat kufitare më të frekuentuara, prej të cilave dy janë në Maqedoni. Për to janë siguruar 54 milionë euro për transport të qëndrueshëm dhe investime, me qëllim uljen e kohës së pritjes në pikat kufitare më të ngarkuara.

“Jini të sigurt se kjo është një çështje shumë e lartë në agjendën tonë dhe me këtë program për transport të sigurt dhe të qëndrueshëm, si dhe me financat që janë në dispozicion për këto pika kufitare më të ngarkuara, do të shohim që ky investim të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim uljen e kohës së pritjes”, tha – Matej Zakonjshek, drejtor i Sekretariatit për njësinë e transportit.

Ndryshe, sistemi i sapovendosur EES shkaktoi radhë dhe pritje disaorëshe në aeroporte dhe në kufij, gjë që solli pakënaqësi dhe reagime te qytetarët. Me vendosjen e sistemit EES, hyrjet dhe daljet regjistrohen në mënyrë elektronike, ndërsa sistemi mundëson përpunimin e të dhënave bazë biometrike (gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia), me qëllim identifikim më të shpejtë dhe monitorim të qëndrimit të lejuar, në përputhje me rregullin “90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh”./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button