Sonte përfundon fushata zgjedhore në Kosovë, mërgimtarët vijnë për të votuar

Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë përfundon sonte në mesnatë. Partitë i realizojnë takimet e fundit me qytetarët. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili po synon të bëhet kryeministër kërkoi mbështetjen qytetarëve për të siguruar shumicën parlamentare. Ndërkohë Vjosa Osmani ka thënë se Kosova do të bëhet shtet i ëndrrave të qytetarëve.

“Për ta bërë ndryshimin që po kërkojmë duhet ta sigurojmë shumicën parlamentare të nevojshme sepse nuk duhet të lejojmë që të na përsëritet skenar i vitit të kaluar”, tha Albin Kurti, Kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër.

“Nga këtu e kemi një mesazh për kapësit e shtetit, hapni rrugë sepse ndryshimi po vjen. Pas 14 shkurtit Kosovës sonë të dashur do t’ia japim sërish qeverinë e shpresës por kësaj radhe jo për 52 ditë por për 4 vite të plota”, pohoi Vjosa Osmani, kandidate për presidente.

Kandidati për president nga AAK, Ramush Haradinaj, ka ritheksuar edhe njëherë fokusin e partisë së tij për qeverinë e ardhshme. “Në takimin e sotëm në Podujevë, ritheksova se agjenda kryesore e Aleancës në qeverinë e ardhshme është rritja dhe zhvillimi ekonomik, e garanci për këtë është një shtet i fortë i qëndrueshëm dhe i integruar në NATO dhe BE”, ka thënë ai.

Institucionet përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit te zgjedhjeve nënshkruan memorandum bashkëpunimi, me të cilin do t’i koordinojnë veprimet për një proces të lirë zgjedhor. Prokurorja Laura Pula tha se sistemi prokurorial ka finalizuar të gjitha procedurat për të operuar së bashku më Policinë e Kosovës në mbrojtje të votës së qytetarëve.

“Jemi gardianë të mbrojtjes së votës së lirë të sovranit të Republikës të Kosovës, duke mos kursyer askënd që prish procesin zgjedhor”, tha Laura Pula, prokurore.

 “Ne i kemi ngritur kapacitetet e nevojshme që ky proces zgjedhor të shkojë mirë dhe inkurajojmë të gjithë qytetarët e Republikës të Kosovës, që për çdo parregullsi, edhe mediat, të njoftojnë Policinë e Kosovës dhe ne do të jemi në dispozicion”, pohoi Arbnesh Ajvazi, Policia e Kosovës.

16 mijë pako me fletëvotime kanë arritur të deponohen në Dhomën e Operacionit të votimit me postë. Zgjedhjet kanë shtyrë shumë mërgimtarë që këtë fundjavë të vijnë në Kosovë.

“Kemi mundur (të votojmë përmes postës) por nuk kemi dashur se këtu po na humbin, po hupin postat (zarfet). Kështu po vijmë, po e qesim në vend të vetin, jemi rehat. Kemi pas kohë, atje pandemia e ka bllokuar çdo gjë. Edhe e vizitojmë familjen edhe dashtë Zoti po fitojmë”

 “Kemi ardhur ekstra për votime, do ta bëjmë atë çka mundemi për popullin dhe atë çka është më e mira, do të votojmë në emër të Zotit. Prej këtyre zgjedhjeve presim shumë, presim mrekulli mos të them, po presim shumë. Fatkeqësisht jo, kam aplikuar (për votim me postë), por nuk më ka thirr askush. Kështu që e kam marrë vendim të vij vet (fizikisht)”

 “Për votime normal, ajo është gjithqysh. Prej këtyre zgjedhjeve presim sene të mira. Kosova është mirë në krahasim me vendet e tjera, nuk është qysh e bëjmë. Edhe me ardh ndonjë i ri nuk e bën një ndryshim qysh mendojnë njerëzit. Ata që kanë qenë, janë të mirë gjithë”

Zyrtari për Informim në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Bujar Gashi thotë se ka fluturime më shumë të cilat po aterojnë në këtë aeroport.

“Shtetet nga të cilat kemi shumicën e fluturimeve janë Zvicra, Gjermania, pastaj vendet skandinave, Austria e kështu me radhë”, pohoi Bujar Gashi, Aeroporti “Adem Jashari”

Fletëvotimet e shtypura për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit do të shpërndahen të shtunën nëpër depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve. Lista përfundimtare e votuesve brenda Kosovës përmban: 1 milion e 794 mijë e 862 emra të votuesve.

BE-ja pret që zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë të organizohen në mënyrë të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në mjediset ku kandidojnë pjesëtarët e komunitetit serb. Nga BE-ja është paralajmëruar se përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, së bashku me akterë tjerë ndërkombëtarë, do të jenë të pranishëm në ditën e zgjedhjeve në një numër vendvotimesh në Kosovë për të ndjekur procesin zgjedhor.

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button