Spasovski: Rreth 180 mijë armë në shtet, 4 qershori afati i fundi për riregjistrim

Spasovski: Rreth 180 mijë armë në shtet, 4 qershori afati i fundi për riregjistrim

Gazetar: Adrian Kerimi

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski në një intervistë ekskluzive për Alsat ka deklaruar se në vend ka rreth 180 mijë armë zyrtarisht të regjistruara, ndërsa më 4 qershor përfundon afati për ndryshimin e lejeve për përdorimin e armëve të zjarrit. Sipas tij, gjatë vitit 2022 dhe 2023 është evidentuar ulje e interesimit për marrjen e lejeve për armë zjarri.

“Kemi rreth 180 mijë në shtet. Nuk mund të flasim me të dhëna absolute për personat që posedojnë sepse për një leje mund të jepen 10 miratime për të porositur armë dhe në bazë vjetore nuk punohet vetëm me leje të reja, por edhe me leja të cilat skadojnë. Me rëndësi është që numrat që i referohen armëve të porositura bien çdo vit. Në vitin 2021 kemi dhënë 3.365 pëlqime, në vitin 2022 kemi dhënë 2.480 pëlqime dhe në vitin 2023 deri tani 1.697 pëlqime”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Në dy vitet e fundit policia ka zbuluar dhe kallëzuar penalisht mbi 260 persona mbi dyshimet për armëmbajtje ilegale.

“Kemi evidentuar rritje të aktiviteteve zbuluese për 12,4 për qind, ndërsa për zbulimin e kryerësve të veprave penale, aktiviteti zbulues është rritur për 8, për qind. Pra për vitin 2022 janë zbuluar 199 vepra penale, nga të cilat evidentuar 210 kryerës të veprave penale. janë konfiskuar rreth armë zjarri. Në vitin 2023 deri tani janë zbuluar 49 vepra penale nga 53 kryerës dhe janë konfiskuar 28 armë zjarri. Numri më i madh i tyre është nga Tetova dhe Shkupi”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Alarmi për revidimin e lejeve për përdorimin e armëve të zjarrit u ngrit pas dy vrasjeve serike në Serbi. Autoritetet serbe kanë nisur procesin e kthimit të armëve nën premtimin për amnisti. Ndërkohë në vendin tonë, Prokurori Publik bëri thirrje që organi i akuzës të jetë më rigoroz në procedimet penale dhe kërkesat për vuajtje të dënimeve mbi veprat që ndërlidhen me armëmbajtje pa leje. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button