Targat, paralajmërohen barrikada në Veri

Targat, paralajmërohen barrikada në Veri

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe. Kështu tha ai pas takimit të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd. Takimi vjen pesë ditë para se të skadojë afati për ri-regjistrimin e makinave në Kosovë.

“Kur them rezistencë demokratike paqësore e popullit, ne këtë vërtet e duam dhe e mendojmë, po nuk e dimë se në çka do të shndërrohet dhe se si do të zhvillohet situata ne terren. Po e përsërisë, rezistencë paqësore, demokratike dhe jo e dhunshme e popullit, mirëpo nuk e dimë se në çka do të shndërrohet nëse dikush tenton që në mënyrë të dhunshme ta marrë pronën tonë. Nëse ndërmerret çfarëdo aksioni i dhunshëm për konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha hyrjet dhe daljet nga veriu dhe për nga qendra e Kosovës”, deklaroi Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe.

Pas takimit me Listën Serbi, në Beograd u mbajt mbledhja e Sigurisë Kombëtare. Vuçiq deklaroi se do të mbeten në përdorin targat KM. Ai po ashtu paralajmëroi se populli serb do të bëjë “rezistencë” nëse Kosova pamundëson lëvizjen me targa të lëshuara nga Serbia. Vuçiq shtoi se Serbia pranon targat neutrale ndaj statusit të Kosovës – KS, por këto targa nuk po pranohen nga Kosova. Ndërkohë gjatë një konference shtypi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se Prishtina do të punojë me faktorin ndërkombëtar, që siç tha ajo për të parandaluar skenarët përshkallëzues në rajon.

“Serbia po kërcënon me dhunë pse Kosova po zbaton ligjit. Kjo është ajo pasqyra e madhe që insistojmë që të gjithë ta shohim, që është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit, çështje e respektimit të parimeve dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, të cilat Kosova po i respekton. E tëra që po bëjmë është që po e zbatojmë ligjin dhe po i mbrojmë të gjithë qytetarët pa dallim. Dhe si rezultat i kësaj, Serbia po kërcënon me dhunë, me barrikada të cilat siç e dini janë shkelje e lirisë së lëvizjes”, deklaroi Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Në kuadër të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë, që Kosova dhe Serbia arritën në dialog më 2011, parashihej që të përdoreshin targat RKS (Republika e Kosovës) ose KS (targa me status neutral). Kjo ishte paraparë të ishte masë e përkohshme për një periudhë pesëvjeçare. Kosova dhe Serbia më 2016 u pajtuan që të vazhdonin vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, që nënkupton se vlefshmëria e tyre skadoi në 2021. Që nga 1 shtatori, Kosova ka nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës. Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka thënë se makinat me targa serbe nuk do të lejohen që të qarkullojnë në territorin e shtetit e as të kalojnë kufirin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button