Tetova prej ditësh ballafaqohet me mungesë të ujit

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Gjysma e qytetit të Tetovës tashmë dy javë është pa ujë për pije. Kjo për shkak të shpërthimit të gypit kryesor që furnizon me ujë qytetin, shkruan Alsat.

Autoritetet thonë se ekipet tashmë kanë depërtuar në Leshnicë të Sharrit, por për shkak të temperaturave shumë të ulëta punimet për sanimin e defektit do të zgjasin disa ditë.

“Tash bëjmë zhvendosje të unazës e cila duhet të sanoj defektin pra zëvendësim dhe duhet intervenua që të sanohet i njëjti. Brenda ditësh mund dhe sot nesër të sanohet po mund të vazhdohet sepse kushtet klimatike bëjnë të veten”, tha Lulzim Shaqiri, Shef i njësisë së ujësjellësit.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale thotë se arsyeja e plasjes së shpeshtë të këtij gypi, është mos vënia e tij sipas standardit të kërkuar për presionin e ujit. Ai tha se këtë dimër vetëm do të sanojnë defektin ndërsa në pranverë është paraparë ndërrim i tërësishëm i tij në gjatësi prej 11 kilometra.

“Realisht gypat në dokumentacion janë të shkruar tjerë, ndërsa në terren janë gypa të tjerë, që nuk plotësojnë kriteret dhe paraqiten defekte. Megjithatë në koordinim me kreun e komunës në pranverë do bëjmë revidim të rrjetit të ujësjellësit . në dokument janë të shkruar gypat prej 12 bar ndërsa në terren janë gjashtë bar dhe nuk e bëjnë presionin. Afërsisht në 10 apo 11 kilometra do duhet ti ndërrojmë gypat”, u shpreh Nuredin Fetahu, Drejtor i NPK Tetova.

Ditë më parë edhe kreu i Tetovës Bilall Kasami paralajmëroi revizion për tërë projektin e ujësjellësit duke shtuar se për të njëjtin nuk ka pasur pranim teknik./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button