U ndryshuan 6 ligjet për pagat e funksionarëve, por rritja nuk do të ndalet!

U ndryshuan 6 ligjet për pagat e funksionarëve, por rritja nuk do të ndalet!

Gazetar: Adnan Qaili

Ndryshimet e 6 ligjeve të pagave të funksionarëve pasi u miratuan në Kuvend, u firmosën edhe nga Presidenti, shkruan Alsat.

Por, Stevo Pendarovski, tha se kjo nuk është zgjidhje afatgjate pasi që për bazë merret gjithnjë paga mesatare e cila sa herë që të rritet, përfitojnë funksionarët edhe pse me koeficient të ulur për gjysmë pike.

Kreu i shtetit tha se rritja e pagave të tyre vjet u bë në masën 78% ndërsa tani u stopua të mos ketë edhe një rritje prej 15% shtesë.

Pendarovski tha se “amini” i të gjithë deputetëve për këto ligje fsheh një të pathënë se rritja e pagave nuk do të ndalet, por do të ndjek progresin e pagës mesatare.

“Nëse koeficienti im ishte 4,5 tani është 3,92 të mos llogaritet komplet paga mesatare, mundet vetëm 65-70% të pagës mesatare. Ka mënyra, por a ka vullnet politik? Sërish theksoj se më habit fakti jo partitë në pushtet që janë tani, por asnjë nga opozita nuk reagoi asgjë, as që thanë se nëse nuk ka zgjidhje tjetër. Unë pata thënë se nëse nuk bëhen ndryshime, diferencën e pagës do ta jepja për donacion humanitar”, tha Pendarovski.

Por, akoma mbeten me koeficiente të paprekur 200 drejtorë të emëruar drejtpërdrejtë nga Qeveria.

Do të duhet një vendim i ri i ekzekutivit për të ulur edhe pagat e tyre, përndryshe ata do të marrin rritje 15%.

Sipas ndryshimeve të 6 ligjeve, koeficientet do të ulen për nga gjysmë pike dhe do të hynë në fuqi me pagat e shkurtit, të cilat 1,060 funksionarët do t’i marrin tani në fillim të marsit.

6 LIGJET PËR PAGAT E FUNKSIONARËVE:

1.Në Ligjin për Rrogat e të Zgjedhurve dhe të Emëruarve, koeficientet ishin nga 2,3 deri në 4,5 tani u bënë nga 1,9 deri në 3,9.

2.Në Ligjin për Deputetët, koeficientet ishin nga 3,5 deri në 4,0, ndërsa tani u bënë 3,0 deri në 3,9.

3.Në Ligjin për Rrogat e Gjykatësve, koeficientet ishte prej 2,8 deri në 3,7, tani u bënë 2,4 deri në 3,2.

4.Në Ligjin për rrogat e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë ishte prej 3,7-4,0, tani 3,2-3,4.

5.Në Ligjin për rrogat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor ishte prej 3,7-4,0 tani u bënë 3,2 deri në 3,4.

6.Në Ligjin për rrogat e Prokurorëve Publikë ishte prej nga 2,8 deri në 3,7 tani u bënë 2,4 deri në 3,2.

Me këto ndryshime ligjore koeficienti për rrogën e presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryetarit të Qeverisë ishte 4,5 ndërsa ulet në 3,92.

Koeficienti për rrogën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe nënkryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit të Qeverisë nga 4,0 ulet në 3,48. Koeficienti për anëtarët e Qeverisë, kryetarit të trupit punues të Kuvendit, kryetarit të Gjykatës Supreme, Kushtetuese, Prokurorit Publik, Guvernatorit të Bankës Popullore, Avokatit të Popullit, Avokatit të Shtetit, Sekretarit të Kuvendit dhe të Qeverisë, nga 3,70 ulet në 3,22. Koeficienti për rrogat e zëvendësministrave, dhe zëvendësve të institucioneve të lartpërmendura nga 3,40 ulet në 2,96.

Koeficienti për rrogat e drejtorëve të zgjedhur nga Kuvendi, gjykatësit e Apelit dhe zëvendësit të prokurorit të lartë publik, kryetarit të Gjykatës Themelore dhe Prokurorit Publik Themelor nga 3.20 ulet në 2,79.

Koeficientet për përcaktimin e rrogave për kryetarët e komunave dhe për kryetarin e qytetit të Shkupit nga 2,70-3,70 tani ulen 2,35-3,22./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button