Vazhdojnë përplasjet Shkup-Sofje, “karrem” pakica bullgare në Maqedoni

Autoritetet kritikojnë ashpër presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, i cili një ditë më parë iu kërkoi shërbimeve speciale bullgare t’i mbrojnë bullgarët në Maqedoninë e Veriut. Për presidentin, Stevo Pendarovski dhe kryeministrin, Zoran Zaev veprimi i Radevit është përzierje në punët e brendshme. Krerët shtetëror i hodhën poshtë akuzat se qytetarë të caktuar sulmohen dhe diskriminohen vetëm për shkak se vetë-deklarohen si bullgarë, siç pretendon qendra kulturore e Manastirit “Ivan Mihajllov”.

“Është skajshmërish e pazakontë dhe jashtë procedurave të Aleancës që presidenti i një shteti anëtar të NATO-s t’i thirr shërbimet e sigurisë për të reaguar për shkelje të të drejtave të qytetarëve në shtet tjetër anëtar të NATO-s. Reagimi i presidentit bullgar është në kundërshtim edhe me parimin bazë të politikës ndërkombëtare për mos-përzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër”, pohoi Stevo Pendarovski, president.

“I përçoj mesazh të fuqishëm Bullgarisë fqinje, pasi shoh se presidenti Radev thirri takim. Le të jemi të vëmendshëm sepse gjithmonë kemi ditur të përgjigjemi për çfarëdo shqetësimi të tyre, ashtu si ata për shqetësimet tona. Le të mos biem pre e informacioneve të pasakta, gjithnjë mund t’i verifikojmë! Jemi shtete anëtare të NATO-s, aleatë. Nuk duhet të dërgojmë shërbime inteligjence që t’i konfirmojë të drejtat e qytetarëve. Të drejtat e qytetarëve janë të shenjta në vendin tonë, besoj edhe në Bullgari e në gjithë Evropën”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Sipas përfaqësuesit të posaçëm, Buçkovski veprimi i Radevit është tentim për ta imponuar kontestin dypalësh në fushatën parazgjedhore.

“Me siguri ekziston potencial që çështja e marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të jetë pjesë e fushatës parazgjedhore. Nuk mendoj se do ketë aq intensitet për të qenë temë mbizotëruese. Është e qartë se Radev po mundohet ta imponojë këtë si temë”, theksoi Vllado Buçkovski, përfaqësues Special i Qeverisë. 

Nga ana tjetër, në “mbrojtje” të Radevit doli edhe kryediplomatja bullgare, Zaharieva. Sipas saj, problemi nuk është Sofja, por Shkupi, që qytetarëve të saj ua konteston të drejtën e vetë-përcaktimit.

“Kuptohet se ne reagojmë për secilin rast dhe shpresoj që edhe kolegët në Maqedoninë e Veriut të fillojnë të reagojnë. Sepse në fund të fundit janë edhe qytetarët e tyre, jetojnë atje. Mbi 100 000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë shtetësi të dyfishtë, edhe shtetësi bullgare mbi prejardhje të dëshmuar bullgare. Këto qytetarë frikësohen, diskriminohen”, pohoi Ekaterina Zaharieva, ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Shkupi e Sofja ende nuk i kanë saktësuar detajet teknike rreth Planit të veprimit, i cili është parakusht për mbajtjen e konferencës dypalëshe ndërqeveritare.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button