Vazhdon beteja me zjarret, në 24 orët e fundit janë regjistruar më shumë 20 vatra, prej të cilave gjashtë janë aktive
Vazhdon beteja me zjarret, në 24 orët e fundit janë regjistruar më shumë 20 vatra, prej të cilave gjashtë janë aktive
Gazetare: Melihate Rustemi
Lufta me flakët vazhdon të mbetet sfidë për zjarrfikësit në të gjithë territorin e shtetit. Më shumë se 20 zjarre në hapësira të hapura, janë regjistruar në 24 orët e fundit, prej të cilëve 6 janë ende aktive, 4 janë vënë nën kontroll, ndërsa të tjerët janë shuar. Numri një i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, tha se gjendja më e rëndë vazhdon të mbetet në malin Goten që shtrihet në tre komuna, atë të Radovishit, Berovës dhe Vasilevës.
“Prej tyre, sfida më e madhe akoma vazhdon të mbetet në malin Goten, që ndodhet mes komunës Radovish, Berovë dhe Vasilevë, ku janë të koncentruara numër i madh i forcave kundër zjarrit. Atje sot janë drejtuar 7 pinzzgauerë, të DMSH-së, 2 makina të ndërtimit që bëjnë brez për parandalimin e zjarrit, 4 automjete të specializuara të Pyjeve Kombëtare, 4 automjete të njësive zjarrfikëse, dhe aty veprojnë dy airtraktorët e DMSH-së. Në terren janë më shumë se 180 persona nga njësite të ndryshme”, tha Stojançe Angellov, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Zjarret tjera aktive janë në komunën e Prilepit, të Makedonski Brodit, të Shtipit, në komunën e Karbincit, dhe atë të Zelenikovës.
“Për fat të keq, sot herët në mëngjes kishte zjarrvënie të qëllimshme në malin Pllaçkovicë, i cili ishte vënë në terren të vështirë për lëvizje dhe i njëjti edhe përskaj tentimeve të fuqishme për vënie në kontroll nga ana e zjarrfikësve të Shtipit bashkë me banorët lokalë të fshatrave në afërsi, i njëjti ka dalë nga kontrolla dhe vazhdimisht po zgjerohet“, tha Stojançe Angellov, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Stuhia e zjarreve ka përfshirë territor më të gjerë të globit, por situata më serioze paraqitet në Turqi, ku një ditë më parë 12 zjarrfikës humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën, para disa ditëve në Greqi kishte një rrëzim helikopteri gjatë mbushjes së ujit, ndërsa zjarre ka edhe në vendet e rajonit, në Shqipëri, Serbi, Kroaci, Slloveni./Alsat.mk








