Ndalesat për të mos punuar në temperatura të larta nuk vlejnë për të gjithë

Ndalesat për të mos punuar në temperatura të larta nuk vlejnë për të gjithë

Gazetare: Melihate Rustemi

Të jesh polic nuk nënkupton se bën pjesë në grupin e profesioneve dhe qytetarëve të cilët kanë të drejtë të zbatojnë rekomandimet për tu mbrojtur nga i nxehti ekstrem. Edhe në këto temperatura policët duhet të qëndrojnë në rrugë për ta menaxhuar trafikun ose edhe në ndonjë vend tjetër për të zgjidhur një problem.

Ngjashëm me policët janë edhe ushtria, zjarrfikësit, punonjësit shëndetësor, gazetarët, shoferët, mirëmbajtësit e rrugëve dhe punonjësit në ndërtim ata të cilët nuk mund t’ju gëzohen këtyre rekomandimeve.
Në shatërvanët e qytetit takuam mjeshtër të cilët po riparonin defektet për të vënë në funksion këto shatërvanë.

“Po i ndërrojmë dritat, të vjetrat i larguam po i vendosim të rejat, e pastruam shatërvanin.
Në këto temperatura të larta nuk e kursejnë veten as shitësit në rrugë, bartësit e ushqimeve e shumë të tjerë. Thonë se janë të detyruar të punojnë gjatë gjithë ditës për të siguruar ekzistencën e familjes”, tha një punonjës.

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë disa rekomandime për mbrojtjen e popullsisë nga temperaturat e larta, duke përfshirë qëndrimin në dhoma të mbyllura dhe të ftohta, veçanërisht në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00, pirjen e mjaftueshme të lëngjeve, shmangien e alkoolit dhe pijeve të ëmbla, veshjen e rrobave të lehta me ngjyra të çelëta dhe përdorimin e mbrojtjes së kokës dhe syve. Gjithashtu rekomandohet të shmangni aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës, t’u kushtoni vëmendje fëmijëve, të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna, të shtyni aktivitetet në natyrë gjatë pjesës më të nxehtë të ditës dhe të siguroni kushte freskuese në vendin e punës dhe në shtëpi. Në rast të simptomave të tilla si marramendje, dhimbje koke, të përziera ose puls të shpejtë, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button