Vdes këngëtari serb, Gjorgje Ballasheviq

Këngëtari i famshëm serb, Gjorgje Ballasheviq ka vdekur pasi ishte infektuar me koronavirusin e ri, njoftoi televizioni publik i Serbisë. Ballasheviq ka qenë gjithashtu poet dhe regjisor.

Ai ishte shumë i popullarizuar në vendet e ish-Jugosllavisë edhe pas shpërbërjes së saj në vitet e 90-ta. Më 16 shkurt, Ballasheviq u shtrua në një spital të Novi Sadit dhe u diagnostifikua me pneumoni, që duket se ishte shkaktuar nga koronavirusi.

Këngëtari Ballasheviq, kishte lindur në Novi Sad më 1953. Karrierën e tij e filloi në vitet 1980, fillimisht në grupe muzikore. Ai ishte i njohur për baladat e tij dhe ka publikuar gjithsej 12 albume.

Igor Miroviq, kreu i qeverisë rajonale në Novi Sad, tha se vdekja e Ballasheviqit kishte lënë një “boshllëk të madh dhe të pazëvendësueshëm”.

Ballasheviç ishte i njohur edhe si kritik i ashpër i ish-udhëheqësit jugosllav të viteve të 90-ta, Sllobodan Millosheviq.

Televizioni publik i Kroacisë kujtoi “qëndrimet paqësore dhe kundër luftës të cilat ishin pjesë e shumë këngëve, fjalimeve dhe intervistave” të Ballasheviqit.

LEXO EDHE:

Back to top button