Vijojnë protestat kundër shtrenjtimit të rrymës
Alsat
21.08.2020 16:18
Me bllokimin e dy udhëkryqeve kryesore të kryeqytetit, sot u protestuan kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në vend. Marshi i nisur nga parku i Çairit për një orë të plotë mbajti të bllokuar bulevardin kryesor te Qendra Tregtare “Mavrovasja” dhe atë në qendër te lokacioni “Rekord”. Organizatorët i dërgojnë mesazh qeverisë që sa më shpejtë të pranojë kërkesat e qytetarëve. Paralajmërojnë bllokime të më tepër udhëkryqeve, duke shkaktuar kaos në komunikacionin e kryeqytetit. Protestës iu bashkua edhe nga Konfederata e Sindikatave të Lira dhe OJQ të ndryshme.
https://www.youtube.com/watch?v=FTiqlD5mpV4
“Siç shihni sot kemi bllokuar dy udhëkryqe për 2 orë, javën tjetër planifikojmë të bllokojmë 4 udhëkryqe për 4 orë dhe kështu me radhë deri në zgjidhjen e këtij problemi të madh për qytetarët që është çmimi astronomik i rrymës elektrike në vend- deklaroi Behar Shaqiri, Këshilli Organizativ.
“Të miratohen vendime të tilla të shtrenjtimeve, që drejtpërdrejtë ndikojnë në standardin e qytetarëve pa asnjë debat, vendime brenda natës, në hapësirë vakumi kur nuk kishte as qeveri e as kuvend. Apelojmë që të vetëdijesohen se besoni që në takimet që kemi me qytetarët ka rritje të revoltës dhe për mënyrën se si do ta shprehim këtë revoltë do të njoftoheni me kohë- pohoi Marjan Risteski, Këshilli Organizativ.
Qytetarët shprehen të revoltuar, madje i bëjnë thirrje mandatarit për kryeministër Zoran Zaev që t’i bashkëngjitet protestës.
“ Zotëri kryeministër, ti je prijësi i popullit të Maqedonisë duhet të dalës bashkë me neve këtu të tregosh realitetin e popullit. Ne jemi duke paguar shumë! Edhe ti duhet ti bashkëngjitësh protestës kundër kësaj e jo me u bashkëngjitë me hajnat e EVN-së e të MEPSO-s se ta mbushin xhepin ty. Edhe ti bashkë me ata jeni duke vjedhur, ti je pjesë e hajnisë në Maqedoni.”
“Rroga jonë, pra rroga mesatare në Maqedoni është 200-300 euro. Pra, 50% e rrogës duhet ta qojmë në pagesë të rrymës se nuk jemi kundër pagesës por përputhet me standardin tonë.”
“Për 50 veta, ai nuk të merr parasysh, madje qytetarët që rrinë nëpër shtëpi na marrin për budallenjë se kanë dal veç 50 veta. 4 paga marrim në shtëpi, gjithnjë e paguaj rrymën, por ata që nuk protestojnë janë hajna. Vetëm na shikonin për karshi sepse kurrë atyre s’ju shkyçet rryma.”
Kërkojnë që Komisioni Rregullator i Energjetikës të tërheqë vendimin për rritjen e energjisë elektrike prej 7.4% dhe të ulë çmimin e rrymës për 46% për konsumatorët e amvisërisë. Kërkojnë liberalizimin e tregut energjetik në vend si dhe heqjen e monopolit të vetëm një kompanie shpërndarëve, duke i hapur rrugë edhe operatorëve të tjerë. Kërkohet nga Qeveria të ulin TVSH e rrymës nga 18% në 5%, siç bënë për shërbimet e ngrohjes qendrore. Kërkohet nga Kuvendi të shpërbëj KRRE, dhe në vend të tij të formoj një trup, i cili do të punonte në dobi të konsumatorit.
Përgatiti: Adnan Qaili