VMRO-ja nismë në Kushtetuese: Të shtyhet afati për ndryshim të dokumenteve personale

VMRO-ja nismë në Kushtetuese: Të shtyhet afati për ndryshim të dokumenteve personale

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja kërkon nga Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kushtetutshmërinë e neneve në ligjin për pasaportat dhe ligjin për sigurinë në rrugë, gjegjësisht për lejet e vozitjes, sa i takon datës së vlefshmërisë në përputhje me Marrëveshjen e Prespës. Me iniciativë zyrtare deri ën Kushtetuese, kjo parti kërkon që Gjykata të marrë vendim për masë të përkohshme, gjegjësisht të ndërpresë zbatimin e këtyre neneve deri sa ta shqyrtojë kushtetutshmërinë e tyre. Kjo nismë e partisë opozitare vjen pas radhëve të gjata të pritjes nëpër sportelet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndryshim të dokumenteve deri më 12 shkurt.

“Në këtë mënyrë do të tejkalohet kjo krizë e shkaktuar nga paaftësia e pushtetit, e qëllimshme ose jo. Duke e pasur parasysh situatën me fotografimin para pikave për marrjen e dokumenteve personale, duke e pasur parasysh edhe mungesën e ekzemplarëve në MPB kurse tenderi është caktuar për në muajin mars, duke pasur parasysh se vetëm gjysmës së njerëzve u janë dhënë pasaporta dhe leje të vozitjes, do të thoja afër 1 milion e 200 mijë qytetarë nga gjithsej 2 milion e 500 mijë, gjegjësisht konstatojmë se MPB-ja nuk ka mundësi t’i ndryshojë dokumentet deri më 12 shkurt, siç parashikojnë këto dy nene kontestuese”, deklaroi Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

Edhe Lidhja Demokratike e Pavlle Trajanovit kërkon që Qeveria në seancën e nesërme të hapë debat për vlefshmërinë e dokumenteve personale.

“Deri tani duhet të ishte hapur diskutim ose të bëhet përpjekje me palën greke me argumentimin se Maqedonia nuk ka as mundësi teknike dhe as potencial kadrovik që këtë operacion të madh ta përfundojë deri më 12 shkurt. Të kërkohet prolongim. Ka hapësirë ligjore që të kërkohet zgjatje e afatit që pasaportat të vlejnë ose deri në afatin e tyre të vlefshmërisë ose të paktën deri më 31.12.2024, periudhë që mendoj se është e mjaftueshme që të ndryshohen të gjitha pasaportat”, tha Pavlle Trajanov, kryetar i Lidhjes Demokratike.

Në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, vendi ka marrë për detyrë që të gjitha dokumentet personale të qytetarëve të përshtaten me emrin e ri të shtetit deri më 12 shkurt 2024. Sipas partive në opozitë, kjo vlen vetëm për pasaportat dhe lejet e vozitjes kur përdoren jashtë vendit. Ata thonë se ligji nuk vlen për përdorim të letërnjoftimeve dhe lejes së vozitjes për përdorim brenda vendit.

Qeveria ka thënë se do të shqyrtojë mundësinë për konsultim me Greqinë për t’u shtyrë afati për ndryshimin e dokumenteve me emrin e ri të shtetit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button