Vrasja e Vanjës dhe Pançes, dëshmuan policë dhe punonjës në “Safe City”
Vrasja e Vanjës dhe Pançes, dëshmuan policë dhe punonjës në "Safe City"
Gazetar: Mihajllo Donev
Deklarata e ndryshuar nuk është e imja, mua më është dhënë një fletë ku shkruhej se Palevski nuk ishte i pranishëm gjatë vrasjeve dhe më thanë ta shkruaj me dorëshkrim dhe pastaj ta dorëzoj në gjykatë- kështu ka deklaruar i akuzuari Vllatko Keshishov sot gjatë gjykimit për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit. Keshishov tha se nga frika ka pranuar të ndryshojë deklaratën e tij ndërsa fletën ia ka sjellë i dyshuari i parë Lupço Palevski gjatë transportit të të akuzuarve. Avokati i tij nuk deshi të komentojë përmbajtjen e deklaratës, por tha se transporti i të akuzuarve tash e tutje do të bëhet veçmas.
“Vetë gjykatësi i ka kërkuar policisë së burgjeve që tani e tutje transporti të kryhet me katër furgonë dhe secili do të transportohet veçmas pikërisht që të mos ketë ndikime të tilla. Përveç kësaj, konsideroj se një deklaratë e tillë e paraqitur nga prokuroria është ndoshta objekt i prokurorisë. Të njëjtit duhet t’i hetojnë këto veprime dhe dyshime, andaj le të veprojnë siç mendojnë”, deklaroi Dejan Efremov, avokat.
Para gjykatës dëshmuan edhe dy pjesëtarë të policisë intervenuese, të cilët thanë se i akuzuari Velibor Manev më 3 dhjetor e ka dërguar policinë te trupi i të varrosurit Pançe Zhezhovski. Dëshmoi edhe një punonjës i “Safe City”, i cili tha se silueta e shoferit është parë në një kamerë në Çair, pas rrëmbimit të Vanjës. Dëshmitari e përshkroi siluetën si person me flokë të thinjura dhe mjekër, duke theksuar se duket si i akuzuari i parë Palevski, por nuk është plotësisht i sigurt. Prokuroria nga ana tjetër nuk ka dyshim se të akuzuarit janë fajtorë, duke thënë se ka prova të fuqishme që do ta vërtetojnë këtë.
“Në pjesën e radhës të procedurës, meqenëse mendoj se po përfundojmë me provat verbale, do të prezantohen të gjitha provat materiale që prokuroria ka ndërmend të propozojë, gjegjësisht i ka propozuar, ku do të jeni dëshmitar se çfarë do dalë prej tyre. Megjithatë, prokuroria beson se të gjitha provat tregojnë bazën e akuzës së paraqitur”, tha Ana Stojkoviq Dimitrievska- prokurore.
Vanja dhe Pançe nga Velesi, të cilët u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023. Seanca e radhës është caktuar për më 16 dhjetor. /Alsat.mk