Vuçiq vazhdon propagandën kundër Kosovës, nuk dënon as agresionin rus në Ukrainë

Vuçiq vazhdon propagandën kundër Kosovës, nuk dënon as agresionin rus në Ukrainë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se nuk do të shkojë në Samitin e Rejkjavikut, ku do të diskutohet për Ukrainën. Ndërksa ka vazhduar propagandën e tij kundër Kosovës.

Pas takimit me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, Vuçiq sërish akuzoi kryeministrin e Kosovës se gjoja ka “nevojë të zjarrtë për incidente dhe konflikte në mënyrë që të shpërthejë një lloj lufte”.

“Sot kam pritur, folur me Miroslav Lajçakun, dhe jam shumë, shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë, veçanërisht për situatën në veri të Kosovës. Dhe do të mundohem të jem shumë i shkurtër, këtë ia thashë edhe ndërmjetësit që vjen nga Bashkimi Evropian, që shqetësimi im buron nga nevoja e zjarrtë e Albin Kurtit për të shkaktuar incidente, për të nxitur konflikte dhe nga pasioni i pabesueshëm me të cilin ai dëshiron të shpërthejë një lloj lufte, një lloj konflikti në të cilin ai do të ishte një hero i madh shqiptar”, tha ai.

Ai ka komentuar vendimin e Qeverisë për shpronësimin e tokës për interes publik në Leposaviq dhe Zubin Potok, derisa ka kritikuar edhe shtetet e QUINT-it, duke i quajtur të “paafta” dhe “naive”.

“Dhe se kjo është gjëja e fundit që ka bërë me shpronësime, që bie ndesh edhe me rregulloret e tyre, se gjithçka që bëjnë është aq e keqe sa thjesht nuk kam fjalë, se jam i shqetësuar sepse mendojnë të marrin me dhunë hapësira të caktuar dhe se jam veçanërisht i shqetësuar për shkak në QUNIT-it, bëhen të paaftë dhe naivë, sepse ndonjëherë ju mjaftojnë edhe 3% e të dalurve në zgjedhje për zgjedhje legjitime, e ndonjëherë 50% nuk është as afër legjitimitetit që kërkojnë aq shumë për parimet”, tha ai.

E sa i përket Samitit të Rejkjavikut, ai tha se në këtë samit, Serbia do të përfaqësohet në nivel të ulët dhe se e njëjta do të abstenojë për deklaratën kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë.

“Kam marrë një vendim, pasi nuk është shumë e zgjuar që ne të jemi vetëm dhe të ekspozohemi ndaj ngacmimeve të përgjithshme nga Evropa, por pas një vendimi të tillë, në të cilin na bëjnë të qartë se janë gati të shkelin integritetin e Serbisë dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara, mora një vendim në përputhje me marrëveshjen që bëmë me Ana Bërnabiqin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, se Republika e Serbisë do të përfaqësohet në nivelin më të ulët, kështu që unë nuk do të shkoj në Rejkjavik dhe Republika e Serbisë nuk do të votojë për deklaratën e tyre, por ne do të abstenojmë”, tha ai.

Ndryshe, Samiti i Rejkjavikut do të mbahet më 16-17 maj dhe është një përgjigje e shteteve anëtare të KE-së kundër agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës. /Kosovapress

LEXO EDHE:

Back to top button