Zaev ironizon me opozitën shqiptare: Shtetësia nuk është dasmë!

Kryeministri Zoran Zaev vazhdon të ironizojë me propozim-Ligjin për shtetësi të dorëzuar nga koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Sipas Zaevit me tre dëshmitarë mund të vësh kurorë, por jo edhe të marrësh shtetësi. I pari i ekzekutivit thotë se propozimi i opozitës vlen të debatohet, por kushtet duhet bazuar në dëshmi dhe jo në dëshmitarë.

“Dëshmitarët në dasmë, atje përmes dëshmitarëve njerëzit regjistrohen, kurorëzohen dhe kjo është në rregull. Ne patjetër duhet të ketë dëshmi, dhe besoj se mund t’i gjejmë dëshmitë. Unë kam thënë, nuk e di, dëftesë, prindi që ka lindur këtu, apo fëmijët që janë rritur këtu, ndonjë të drejtë sociale që është realizuar para 3 vjetëve para 5 vjetëve, një dokument ta kemi si dëshmi, sepse jeta një ditë mbaron, dëshmitë mbeten”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Opozita shqiptare thonë se kushti për tre dëshmitarë nuk është i paluhatshëm dhe konsensusi mund të gjendet përmes amendamenteve konstruktive. Kryetari i ASH-së, Zidain Sela i cilësoi skandaloze deklaratat e Zaevit duke e cilësuar kreun e ekzekutivit shkelës i të drejtave elementare të qytetarëve shqiptar.

“Janë deklarata skandaloze ashtu siç është edhe qëndrimi i Qeverisë në dokumentin e famshëm, qëndrim i cili fatkeqësisht të bën të kuptosh që Maqedonia vazhdon të funksionojë me po të njëjtën logjikë të krijimit duke shtypur të drejtat e 1/3 së popullsisë autoktone shqiptare. Me këtë logjikë funksionin edhe Zoran Zaevi”, pohoi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.  

Pas paralajmërimeve të opozitës shqiptare se në rast mos procedimi të ligjit, do ta bllokojnë punën e Kuvendit, kreu i Komisionit për Mbrojte dhe Siguri, Mile Talevski ka thirrur mbledhjen e trupit amë për ditën e premte. Opozita shqiptare nuk përjashton mundësinë që propozimi të bllokohet gjatë shqyrtimit në Komisionin për Siguri nga ana e anëtarëve të cilët përbëjnë shumicën në këtë trup. Paralelisht me propozim-Ligjin për shtetësi të opozitës, Ministria e Brendshme pas mendimit me të cilin hodhi poshtë propozimin e opozitës, paralajmëroi ligj të ri për shtetësi. Deri tani nuk ka lëvizjes konkrete.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button