Rita Ora ka planifikuar një rinovim të madh shtëpie për të modernizuar shtëpinë e saj në vlerë 7.5 milionë funte (8.9 milionë euro) në veri të Londrës, pak kohë pasi zbuloi shpresat e saj për të zgjeruar portofolin e pronave të saj në Sydney.
Këngëtarja 31 vjeçe, mori dritën jeshile nga Camden Council në tetor për planet e saj të gjera për të rinovuar shtëpinë e cila për momentin është në gjendje ‘të shkatërruar’, pasi është ndërtuar në vitin 1882. Artistja e lindur në Prishtinë, e bleu këtë pronë vitin e kaluar.
Riparimi përfshin një dhomë luksoze të zhveshjes, qilar dhe një të ashtuquajtur “dhomë paniku” që përfshin izolimin në rast se këngëtares i rrezikohet siguria, shkruan DailyMail.

Ajo gjithashtu ka në plan që të instalojë kamera CCTV në shtëpinë e saj të re – kamera këto që zakonisht përdoret në aeroporte. Ndërsa mendohej se këngëtarja do të zhvendosej në Australi, një burim i tha DailyMail se ajo do ta mbajë shtëpinë në Londër si vendbanimin e saj kryesor dhe thjesht po shton portofolin e saj të pasurive të paluajtshme.
Planet për rinovimin e shtëpisë me gjashtë dhoma gjumi përfshijnë ndërtimin e një dushi të ri dhe dhomën e zhveshjes, një oxhak në dhomën kryesore të gjumit dhe krijimin e një qilari. Fotografitë e brendshme të pronës, të marra përpara se këngëtarja të blinte shtëpinë, tregojnë se shtëpia në fjalë ka nevojë për një rinovim të plotë, por për shkak të historisë së saj 139-vjeçare, është e zhytur në karakteristika të periudhës që variojnë nga vatrat me pllaka te trarët prej druri dhe zdrukthtaria e ndërlikuar.
Përveç planeve të gjera për ta rinovuar, Rita gjithashtu shpreson të riparojë punimet me tulla, gurët dhe të zëvendësojë dyert rrëshqitëse me dyer franceze për t’i dhënë shtëpisë një frymë të re. Rita, e cila ka një vlerë neto fitimesh rreth 30 milionë dollarë (26.3 milionë euro), kohët e fundit shprehu një interes për të blerë prona në Harbour City pasi kaloi shumë kohë në Australi për angazhimet e saj atje si anëtare e jurisë në “The Voice Australia”.
Këngëtarja kaloi kohë në Australi në dhjetor me të dashurin e saj regjisor, Taika Waititi, 46 vjeç. Ajo së fundmi tha për Daily Telegraph të Australisë: “Unë thjesht e dua Australinë, kam gjetur vërtet një shtëpi të mrekullueshme këtu”.
“Moti, plazhi, është një komunitet kaq i bukur. Unë mund të eci në kafenenë time lokale, të ulem atje dhe të ha mëngjes, të shkoj në supermarket dhe te kasapët, si një njeri i thjeshtë”, tha 31-vjerçarja. Tabloidi britanik pohoi gjithashtu se shtëpia e saj aktuale, një apartament nën çati në vlerë prej tre milionë funtesh (3.5 milionë euro) në perëndim të Londrës, është në treg dhe do t’i sjellë asaj një fitim prej 500,000 funtesh (600,000 euro), nëse e shet.








