Zvarritja në Kuvend e projektitligjit për huamarrje ka lënë shumë projekte lokale të parealizuara

Zvarritja në Kuvend e projektitligjit për huamarrje ka lënë shumë projekte lokale të parealizuara

Gazetare: Evi Shkopi

Për më shumë se një vit në Kuvend ka ngecur Projektligji për huamarrje nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 70 milion euro, para që duhet të shfrytëzohen për përmirësim të infrastrukturës në rrugët lokale, shkruan Alsat.

Në atë kohë VMRO-DPMNE  kishte dilemat e saj rreth kësaj huamarrje. Një vit më pas nga partia opozitare që fitoi shumicën e komunave në vend në zgjedhjet e fundit lokale, thonë se  do të mbështesin gjithçka që është në të mirë të qytetarëve.

“Gjithçka varet nga shumica në Kuvend, që të votohet. Ne njëherë kemi theksuar  se gjithçka që Qeveria do ta dakordojë me opozitën dhe është në të mirë të qytetarëve dhe do të kemi mirëkuptim  dhe do ta mbështesim”, tha Dimçe Arsovski- VMRO-DPMNE.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, thotë se përmirësimi i infrastrukturës lokale është nevojë urgjente, andaj bën thirrje që projekt ligji të miratohet sa më shpejt.

“Një ligj i tillë apo një përkrahje e tillë nga Qeveria, qoftë edhe përmes huamarrjes nga Banka Botërore është më se i nevojshëm për të gjithë pushtetin lokal apo për të gjitha komunat në territorin e Maqedonisë se Veriut…Vlerësoj se duhet të përshpejtohet procedura për miratimin e një ligji të tillë”, theksoi Bilall Kasami- kryetar i Komunës së Tetovës.

Nga Qeveria thonë se projektligjin për huazim e kanë përcjellë për në Kuvend në vitin 2019, ndërsa 17 milion euro nga këto para tashmë janë shpenzuar për rikonstruimin e 80 rrugëve lokale në 40 komuna.

Në kohën e pandemisë ekzekutivi kishte të drejtë të marrë vendime pa pasur nevojë për votim në Kuvend dhe rreth 37 milion euro nga huamarrja i ridenstinoi si ndihmë për ekonominë për të zbutur pasojat nga pandemia.

“Sa i përket fondeve të shfrytëzuara nga kredia e destinuar për masat për forcimin e ekonomisë si pasojë e pandemisë COVID, ju njoftojmë se 37 milionë euro janë ndarë për ndihmë direkte për ekonominë vendase dhe masa për mbrojtjen e buxhetit të qytetarëve. Projektligji është dërguar në Kuvend dhe është bllokuar nga opozita për gati një vit. Projektligji parashikon që brenda kësaj shume prej 37 milionë eurosh, fondet t’i kthehen projektit konkret për realizimin e tij të mëtejshëm”, thonw nga Qeveria.

Afati i shlyerjes së kredisë është 15 vjet, duke përfshirë një periudhë mospagimi prej 5 vjetësh./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button