Zyrtarët evropianë, në Prishtinë-Beograd, Lajçak nuk jep detaje

Zyrtarët evropianë, në Prishtinë-Beograd, Lajçak nuk jep detaje

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët për politikën e Jashtme të Macronit dhe Scholzit të emëruar me detyrë për këtë dialog, Pletner dhe Bone qëndruan në Prishtinë. Emisarët u takuan me kryeministrin Albin Kurti në selinë e qeverisë ku në fokus ishte shqyrtimi i opsioneve për përparim në dialogun dhe normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Lajçak ka folur shkurt pas takimit që patën me kryeministrin Albin Kurti. Lajçak tha se kanë biseduar më shumë se dy orë me Kurtin rreth dialogut dhe lëvizjes përpara të procesit. Diplomati sllovak që është i ngarkuar për ndërmjetësimin mes Prishtinës dhe Beogradit tha se e kanë kryer pjesën e parë të misionit në Prishtinë. Ndërkohë zyra e Kurtit përmes një komunikate ka njoftuar se gjatë takimit u theksua se Kosova ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë. Lajçak dhe këshilltarët pas Prishtinës shkuan në Beograd për tu takuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiç me fokusin e njëjtë, gjetjen e një rruge për marrëveshje mes dy vendeve. Kjo është hera e parë që Berlini dhe Parisi angazhohen në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë për dialogun, ku përveç të dërguarve nga Brukseli ngarkojnë me punë edhe këshilltarë shtesë. Vendimi i ishte bërë I ditur me anë të një letre Kurtit dhe Vuçiçit ku u thuhej prerë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

“Siç e patë ne sapo kaluam më shumë se dy orë me kryeministrin Albin Kurti, duke diskutuar për dialogun dhe se si të rritet dinamika në proces dhe të çohet procesi përpara. Ishte një diskutim shumë i thellë dhe i rëndësishëm dhe mendoj se do ta kuptoni që nuk mund të hyjmë në detaje sepse, natyrisht, të njëjtin diskutim do ta kemi më vonë sot me presidentin Vuçiq, prandaj them se kemi përfunduar pjesën e parë të misionit në Prishtinë”, deklaroi Mirosllav Lajçak, I dërguar i Posaçëm i BE-SË për dialogun Kosovë-Serbi./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button