Anulohet seanca gjyqësore për organizatorët e ngjarjeve të përgjakshme në Kuvend

Anulohet seanca gjyqësore për organizatorët e ngjarjeve të përgjakshme në Kuvend

Gazetar: Ardit Ramadani

Seanca e parë gjyqësore për “organizatorët e 27 prillit”, pasi lënda u kthye në ri-gjykim u anulua për shkak se prokurori publik nuk arriti t’i shqyrtojë parashtresat që kanë të bëjnë me Ligjin për Amnisti.

“Prokurori publik nuk mundet në këtë moment të deklarohet në lidhje me këto kërkesa lidhur me Ligjin për Amnisti dhe për këtë arsye, propozojmë që të anulohet seanca e sotme që të mund prokurori publik t’i shqyrtojë këto kërkesa”, thonë nga Prokuroria Publike.

Të akuzuarit për organizimin e incidenteve në Kuvend, në korrik të vitit 2021 u shpallën fajtorë nga Gjykata Penale në Shkup dhe u dënuan me gjithsej 25 vite burg, edhe atë:

  • Trajko Veljanovski (ish kryetar i Kuvendit) – 6 vjet e 6 muaj
  • Mile Janakieski (ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve) – 6 vjet e 3 muaj
  • Spiro Ristoski (ish ministri i Arsimit dhe Shkencës) – 6 vjet e 3 muaj
  • Vlladimir Atanasov (ish drejtor i Policisë Sekrete) – 6 vjet burg

Por megjithatë që të mos mjaftojnë skandalet në Gjyqësor, në Prill të këtij viti Apeli vendosi t’i shpëtojë të gjithë këta të akuzuar me arsyetimin se gjykata e shkallës së pare kishte kryer shkelje të rënda gjatë procedurës gjyqësore. Pas këtij vendimi skandaloz të Apelit, reagime pati edhe nga Ministria e Drejtësisë dhe opinioni publik, ndërsa Gjykata Penale ftoi opinionin të sheh dhe të vlerësojë se kush mundëson vjetërsimin e lëndëve të profilit të lartë. Sulmi në Kuvend dhe rrahja e deputetëve dhe gazetarëve ndodhi më 27 prill të vitit 2017, pasi shumica parlamentare propozoi për kryetar të kuvendit një shqiptar, përkatësisht Talat Xhaferin. Më herët nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimt të Organizuar dhe Korrupsionit kishin deklaruar se të akuzuarit e dinin saktësisht se çfarë po bënin dhe vepruan me qëllimin e vetëm për të parandaluar formimin e një qeverie nga shumica e re parlamentare. Seanca e radhës do të mbahet më 25 maj ndërsa procesi gjyqësor ka filluar në shkurt të vitit 2020. Në hetim fillimisht u përfshinë edhe ish-kryeministri azilant Nikolla Gruevski dhe ish-zyrtari i inteligjencës Nikolla Boshkovski, por procedura për ta u ndal derisa të viheshin në dispozicion të kompetentëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button