Dy dekada premtime për gjetjen e investitorit për Kodrën e Diellit, s’ka hapa konkret
Dy dekada premtime për gjetjen e investitorit për Kodrën e Diellit, s’ka hapa konkret

Gazetar: Bashkim Sulejmani
Për më shumë se dy dekada pushteti lokal dhe ai qendror paralajmërojnë gjetjen e investitorit për Kodrën e Diellit. Por edhe përkundër bisedimeve me investitorë të mundshëm, nuk ka hapa konkret.
“Ka takime, ka komunikime e aktivitete konkrete në drejtim të sigurimit të investitorit për në Kodër të Diellit. Qeveria aktuale ka komunikuar me investitorin e paralajmëruar nga Italia, që është një kombinim italian e austriak sepse e njëjta firmë është në dy shtetet”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Kasami thotë se plani i detajuar urbanistik për Kodrën e Diellit është drejt finalizimit, ndërsa është parakusht për dhënie me koncesion të Kodrës së Diellit.
“Aty jemi shumë afër, jemi në përfundim duke harmonizuar edhe vërejtjet e fundit sa i përket polanit urbanistik. Është çështje ditësh kur do e kemi edhe planin urbanistik dhe kjo pengesë do sqarohet në drejtim të asaj se cilat janë pronat e ndërmarrjes së Kodrës së Diellit dhe cilat janë prona të komunës”, u shpreh tutje Kasami.
Ndërkohë ekspertët thonë se përmirësimi i infrastrukturës në Kodrën e Diellit është prioritet, sidomos “luftimi” i ndërtimeve pa leje.
“30 vitet e fundit, mund të them se aspak nuk është investuar në mënyrë adekuate. Tash u ndërtua 6 ulësja por edhe ajo s’është në vendin e duhur. Gjithsesi, rruga kryesore që është deri në Kodër të Diellit duhet të zgjerohet, pastaj të sigurohet parkingu si problem tejet i madh për turistët, sepse kanë problem si me rrugën po ashtu edhe me parkimin”, u shpreh Menan Memeti, ish-drejtor i Kodrës së Diellit.
Në Kodrën e Diellit nuk u ndërtua as parkingu në kate. Kasami u arsyetua se kompetencat i ka Ministria e Transportit dhe drejtoria që menaxhon me Kodrën e Diellit./ Alsat.mk