Interesim i lartë i studentëve për dy drejtimet e reja në UEJL

Interesim i lartë i studentëve për dy drejtimet e reja në UEJL

" "

Gazetare: Melihate Rustemi

Pas Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, dy drejtimet e reja në Universitetin e Evropës Juglindore, ai i Shkencave Teknike dhe i Shkencave Shëndetësore po tërheqin numër të konsiderueshëm të maturantëve thuajse nga të gjitha qytetet e vendit. Sipas drejtuesve të UEJL-së kjo të bëjë me kërkesat në tregun e punës dhe tashmë vlerësimin e duhur të drejtimeve profesionale edhe në vendin tonë.

“Edhe për tu larguar është atraktive për shkak se kërkesat e jashtme janë në rritje vazhdimisht por këto kanë qenë në 10 vitet e fundit në rritje mirëpo unë mendoj se edhe përmirësimi i statusit material financiar I punëtorëve shëndetësor në vend, pagat e tyre siç e dini edhe nga infermieritë apo edhe drejtimet tjera janë në rritje të vazhdueshme. Kërkesat e tregut të punës japin impakt të madh, nuk është si para 10 vitesh. Tregun e punës e kishte zënë gjumi para 10 vitesh, nuk reagonte. Tashmë këtë e vërtetojnë si Shkencat Kompjuterike, e vërtetojnë edhe Fakulteti I Biznesit dhe Ekonomisë me drejtimet specialistike shumë të kërkuara konform pagesave në tregun e punës”, tha Abdylmenaf Bexheti, rektor i UEJL.

Në tre ciklet e studimeve në UEJL pritet të regjistrohen mbi 1.100 studentë, prej tyre rreth 900 vende parashikohen për studentët deridiplomikë në shtatë fakultete. Ndërkohë edhe në Universitetit “Nënë Tereza” po punohet në drejtim të kushteve më të mira për studentët.

“Ne jemi duke u fokusuar më stabil në rritjen e cilësisë të administratës, sidomos referentëve dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe njëkohësisht dixhitalizimit të universitetit. Mendojmë se dixhitalizimi dhe ofrimi i këtyre serviseve ndaj studentëve brenda në universitet dhe në formë dixhitale është shumë me rëndësi për rritjen e cilësisë së përgjithshme”, u shpreh Bekim Fetaji, rektor i UNT-së.

Mbi 400 vende të lira nga gjithsej 1515 tashmë janë plotësuar në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup në afatin e parë për regjistrim që do të vijoj deri në fund të javës. Shumë prej maturantëve i janë drejtuar Fakultetit të Shkencave Sociale ndërsa interesim i lartë është paraqitur për studimet në inxhineri biokimike./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button