Ndryshimet ligjore/ Objektet që shfrytëzohen nga pushteti qendror do të duhet t’i nënshtrohen rikonstruimit të së paku 3% të hapësirës
Ndryshimet ligjore/ Objektet që shfrytëzohen nga pushteti qendror do të duhet t’i nënshtrohen rikonstruimit të së paku 3% të hapësirës
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Të gjitha objektet që shfrytëzohen nga pushteti qendror do të duhet t’i nënshtrohen rikonstruimit të së paku 3% të hapësirës së përgjithshme në nivel vjetor. Kjo është një nga masat që kaloi në komision kuvendor në kuadër të ndryshimeve ligjore për efikasitet energjetik.
Qeveria duhet të përgatisë strategji afatgjate deri në vitin 2050 me qëllim transformimin e objekteve ekzistuese në objekte me efikasitet energjetik dhe dekarbonizim, me çka harxhimi i energjisë elektrike do të ulej në zero.
“Kjo do të rezultojë me fatura më të ulëta, kushte më të mira për punë, rritje e punës për industrinë vendore të ndërtimit. Numër katër, vendosje e obligueshme e kolektorëve diellor. Çdo ndërtesë e re e ndërtuar apo ndërtesë e rindërtuar përfshirë shkolla, çerdhe apo institucione doemos duhet të instalojnë edhe sistem për ujë të ngrohtë, ku do të jetë teknikisht dhe ekonomikisht e zbatueshme”, u shpreh Mirosllav Labudoviq – Zv.ministër i Energjetikës.
Edhe gjatë blerjes së makinave për transport publik por edhe për nevojat e institucioneve, duhet merren parasysh ndikimet ekologjike. Transformimi do të mbështetet përmes mekanizmave për investime në solar panele, sisteme gjeotermale dhe teknologji të mençura. Ligji për efikasitet energjetik në fakt ishte miratuar edhe në vitin 2020 mirëpo siç theksoi Llabudoviq, masat nuk janë zbatuar tërësisht dhe nuk janë miratuar aktet nënligjore.
Këto ndryshime ligjore parashihet të miratohen deri në fund të këtij viti ndërsa përskaj tyre, pritet të miratohet edhe ligji për shfrytëzimin e energjisë për burime të ripërtërishshme, ligji për miniera, ligji për gjeologji, ligji për partneritet publiko-privat dhe ligji për koncesione në interes të qytetarëve. / Alsat.mk








