Kallas: Zgjedhjet në Kosovë ngadalësuan dialogun Kosovë–Serbi, BE-ja vazhdon angazhimin me palët

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, konfirmoi se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore përse, prej kohësh, nuk ka pasur një rund të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, në nivel liderësh.

Ajo u tha gazetarëve se ka gatishmëri si nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për një takim në kuadër të dialogut, por se shpallja e zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë e ka shtyrë sërish procesin.

“Ne, në fakt, kishim planifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës – dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve – nga Kosova dhe nga Serbia – por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin. Unë, megjithatë, po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi,” deklaroi Kaja Kallas, Përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në shtator të vitit 2023. Kallas e mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së në dhjetor të vitit 2024 dhe deri më tani nuk ka pasur rast të jetë nikoqire e ndonjë rundi bisedimesh. Sot, ajo mirëpriti një takim të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor.

LEXO EDHE:

Back to top button