Kovaçevski eliminon Dimovskin?

Kovaçevski eliminon Dimovskin?

Gazetar: Adrian Kerimi

Pas presidentit dhe ministrit të Jashtëm edhe kryeministri i mbyll derën Viktor Dimovskit, duke i shuar përfundimisht shpresat se ai do të shkojë ambasador në Paris. Ndonëse Dimitar Kovaçevski nuk ishte i drejtpërdrejtë sa Presidenti Stevo Pendarovski dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, kreu i ekzekutivit tha se vendimi për Dimovskin dhe ambasadorët e tjerë do të merret në konsultim me kreun e shtetit dhe shefin e diplomacisë. Jo zyrtarisht mësohet se Qeveria ka vendos që Dimovski të mos shkojë ambasador.

“Zgjedhja, akreditimi dhe dërgimi i ambasadorëve nuk është diçka që duhet të thuhet publikisht sepse edhe vetë vendimet sillen në seanca të mbyllura të Qeverisë. Për momentin kemi disa vende vakante të ambasadorëve edhe atë në vendet me të cilat kemi partneritet strategjik. Në kuadër të kompetencave të mia, bashkërisht me presidentin e shtetit dhe ministrin e Jashtëm, konsultohemi që të plotësohen këto vende”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Vendimi ende i pa shpalosur i Qeverisë mësohet të jetë marrë mbi bazën e përgjegjësisë morale të Dimovskit si drejtor i ASK-së dhe dhënien e pëlqimit për shtetësinë e spiunit rus Oleksander Onishçenko. Për ambasador në Francë, lakohet emri i ish ambasadorit në Izrael dhe ish shefi i misionit në Kombet e Bashkuara, Pajo Aviroviq. Vendi ka 14 pozita vakante të ambasadorëve, përfshi Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Kinën dhe Poloninë. Javëve në vazhdim presidenti do të zhvillojë një sërë takimesh konsultative me Qeverinë për plotësimin e pozitave me ambasador dhe staf akademik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button