Librat digjital, prindërit kundërshtojnë ashpër Carovskën

Ideja futuristike e digjitalizimit të librave për mësim on line e ministres së Arsimit Milla Carovska ka hasur në kundërshtime të ashpra nga prindërit, të cilët thonë se është e pamundur të zbatohet në kushtet aktuale që kanë shkollat. Madje shqetësimin e tyre e kanë shprehur përmes krijimit të një grupi në rrjetin sociale Facebook ku brenda pak ditësh janë anëtarësuar mbi 66 mijë persona. Në grupin “Libra dhe mësim patjetër të ketë” ku mes tjerash propozohen mënyra për kundërshtimin e vendimit të ministrisë.

Grupi “Libra dhe mësim patjetër të ketë”
Cili do të jetë hapi radhës?
Protestë – 941 persona
Bojkot – 349 persona
Marrëveshje – 4 persona

Në mungesë të aktiviteteve nga organizatat joqeveritare, prindërit janë duke u bërë iniciativa që të mblidhen edhe nënshkrime për kundërshtimin e këtij propozimi. Ata janë më të zëshmit kundër kësaj nisme, duke kërkuar që të ndiqen praktikat e gjitha vendeve tjera për mësim në prezencë fizike nëpër shkolla.

“Ndërsa ajo bëri dëme, duke i dërguar nxënësit në shtëpi pa marrë parasysh nëse dhe sa kanë kushte, ata DETYROHEN për të ndjekur mësimet në distancë, kështu që tani ajo ka vendosur të mos u japë atyre as libra shkollorë, ashtu siç nuk u dha tableta as nxënësve e as mësuesve.”

“Si mund të prekë vetëm 400 nxënës kur 1,300 familje nuk kanë energji elektrike. Ajo nuk zbatoi as Platformën Nacionale për arsim që aq shumë pompozitet i dhanë në shtator.”

“Nëse mundet shkollat pa nxënës, atëherë edhe deputetët të mbajnë seanca on line e mos të bëjnë shpenzime koti në Kuvend.”

Sipas propozimit të Ministrisë së Arsimit, librat e shtypur do të hiqen nga përdorimi për t’u zëvendësuar me pajisje elektronike për mësim on line. Madje edhe objektet shkollore do të jenë të panevojshme, sipas tyre, procesi edukativo-arsimor mund të ndiqet nga shtëpitë e nxënësve. Mbase në një të ardhme të largët, inovacioni teknologjik do të bëjë të zakonshme vetëm mësim on line, por prindërit në këtë fazë të zhvillimit të shoqërisë e konsiderojnë si ide larg logjikës së shëndoshë.

Adnan Qaili

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button