Ligji për “branitellat” vijon të përplas pushtetin dhe opozitën

Ligji për “branitellat” vijon të përplas pushtetin dhe opozitën

Gazetare: Ajnur Bafqari

Vazhdojnë përplasjet mes pushtetit dhe opozitës lidhur me ligjin për “branitellat”. Partia në pushtet e akuzon opozitën se këtë temë po e shfrytëzon vetëm për pika politike. Marija Miteva nga VMRO-DPMNE, thotë se po presin të shohin nëse LSDM do të dorëzojë procedurën për interpelancë ose për shkarkimin e kryetarës së komisionit amë të këtij ligji.

“Nga ajo që kemi mundur të shohim në opinion LSD e shfrytëzon këtë temë për pika politike. Nuk pamë asnjë mbështetje prej tyre as në komision, as nuk u përgjigjën ndaj thirrjes që e bëri VMRO-DPMNE, me qëllim që të miratohet ky ligj. Kështu që u mbetet atyre, të shohim a do të dorëzojnë procedurë për interpelancë, ose do të dorëzojnë propozim për shkarkimin e kryetares së Komisionit për politikë sociale, demografi dhe të rinj, Ilire Dauti ”, tha Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

Por LSDM nga ana tjetër po pret epilogun e komisionit të rregullores, imunitetit dhe mandatit lidhur me shkeljet e mundshme nga ana e kryetares së komisionit dhe kryeparlamentarit.

“Ne dorëzuam kërkesë për komisionin e rregullores, imunitetit dhe mandatit e cila duhet të konfirmojë se ekzistojnë shkelje të rregullores edhe nga ana e deputetes por edhe nga ana e kryeparlamentarit. Ajo që LSDM e kërkon si grup parlamentar, është që ky ligj të ketë trajtim të barabartë si çdo ligj tjetër i dorëzuar në Kuvend. Absolutisht edhe unë si propozuese por edhe i gjithë grupi parlamentar, duam të ketë debat… Unë pres që ky ligj do të kalojë….”, deklaroi Sllavjanka Petrovska, LSDM.

Kryeparlamentari Afrim Gashi, një ditë më parë njoftoi se do të thirret seanca e komisionit për çështje të rregullores imunitetit dhe mandatit, por nuk e precizoi nëse do të veprohet në bazë të kërkesës së LSDM-së që të konstatohet përgjegjësia e tij e mundshme. Ligji për branitellat ka mbetur i bllokuar në Kuvend, pasi kryetarja e komisionit amë refuzon ta vendosë në rend dite nëse në të nuk përfshihen edhe pjesëtarët e UÇK-së. Seancën nuk mund ta thirr as kryeparlamentari, pasi siç tha ai, seanca ku duhej të diskutohej kjo çështje, tashmë është thirrur, por kryetarja e komisionit nuk e kishte vendosur në rend dite. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button