Mijëra nxënës më pak në vitin e ri shkollor, Matura Shtetërore me mesatare 3.66

Gazetare: Melihate Rustemi

Viti i ri shkollor 2026/2027 do të nisë me më pak nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska tha se edhe pse regjistrimet nuk kanë përfunduar, pasi pritet afati i tretë për regjistrimin në shkollat e mesme, deri më tani në arsimin fillor janë regjistruar rreth 4.900 nxënës të klasës së parë më pak krahasuar me një vit më parë. Janevska tha se edhe nëse deri në fund të procesit regjistrohen fëmijë të tjerë, numri i nxënësve të klasës së parë pret të jetë të paktën 3.000 më i ulët se vitin e kaluar.

“Numri nuk është përfundimtar, sepse regjistrimet ende vazhdojnë dhe një pjesë e fëmijëve ende nuk janë paraqitur. Shpresoj që kjo shifër të ulet disi, por ajo mbetet shumë e lartë në raport me gjendjen demografike. Më vjen keq ta them këtë fakt, por ai është publikuar edhe nga Enti Shtetëror i Statistikave. Sipas të dhënave më të fundit, këtë vit ka rreth 4.900 nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar. Pavarësisht sa fëmijë do të regjistrohen deri në fund, do të kemi të paktën 3.000 nxënës të klasës së parë më pak. Këtë trend e presim edhe vitin e ardhshëm, gjë që është dëshpëruese për këtë vend. Për Qeverinë kjo është një çështje shqetësuese dhe vazhdimisht theksojmë se duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë. Ne, si Ministri e Arsimit dhe Shkencës, po bëjmë gjithçka për të përmirësuar kushtet dhe për t’i mbajtur njerëzit në vend”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Këto të dhëna ministrja Janevska i bëri gjatë publikimit të rezultateve përfundimtare të Maturës Shtetërore për afatin e qershorit. Janevska u shpreh e kënaqur për rezultatet e arritura të nxënësve duke shtuar se nota mesatare e të tre llojeve të maturës shtetërore, është 3.66, krahasuar me vitin e kaluar, kur mesatarja ishte 3,69, ndërsa në vitin 2024 ishte 3,26. Për maturën shtetërore të përgjithshme nota arriti në 3.62, për maturën profesionale 3.91, ndërsa për maturën artistike 3.59.

Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve tha se sukses më i mirë u vu re në provimet e gjuhëve amtare në të tre llojet e maturës, si dhe në matematikë dhe gjuhët e tjera të huaja: gjermanisht, frengjisht, italisht dhe rusisht ku nota mesatare ishte mbi 4. Këto lëndë i kanë zgjedhur më pak kandidatë dhe kryesisht nxënës të gjimnazeve.

“Këtë vit nuk pati kopjime masive, siç kishte ndodhur deri para dy vitesh. 226 nxënësve u janë anuluar testet dhe ata do t’i nënshtrohen sërish provimeve në afatin e gushtit. Një pjesë u kapën duke kopjuar gjatë provimit, ndërsa për të tjerë u konstatua kopjim pas kontrollit të testeve. U paraqitën 805 ankesa, që përbëjnë 2,86 për qind të numrit të përgjithshëm të maturantëve që iu nënshtruan provimeve. Nga to, 0,95 për qind u pranuan. Ndërkohë, 133 nxënës kërkuan dhe realizuan shqyrtimin e testeve të tyre”, theksoi Daniella Jovçevska Mihajllovska, drejtore e Qendrës Shtetërore të Provimeve

Nxënësit të cilëve u janë anuluar testet, së bashku me ata që munguan në afatin e qershorit, do të kenë mundësi t’i japin provimet në afatin e gushtit. Provimi zgjedhor do të mbahet më 12 gusht, ndërsa provimi i detyrueshëm, ai i gjuhës amtare, më 14 gusht. Për afatin e gushtit janë regjistruar 1.328 kandidatë për maturën shtetërore, 126 për maturën profesionale dhe 6 për maturën artistike. /Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button