Mungesa e punëtorëve fut Kosovën në krizë

Mungesa e punëtorëve fut Kosovën në krizë

Orar i stërzgjatur i punës, mohim i pushimit vjetor, punë pa kontratë, pagë e ulët e me vonesa – janë ankesat që, ndër vite, kanë shprehur punëtorë të sektorit privat në Kosovë.

Shumë prej tyre janë raportuar shpesh edhe në Inspektoratin e Punës, por nga Sindikata e punonjësve të sektorit privat thonë se ato kanë kaluar pa u përfillur.

“Punëtorë e të rinj të shumtë në Kosovë po ikin jashtë vendit… Nuk duan të jetojnë më me shpresën se do të bëhet mirë. Nuk duan të punojnë në kushte jo të mira të punës e me paga të ulëta”, thotë Azemi.

Gjatë vitit 2021, Inspektorati i Punës ka pranuar mbi 5,000 ankesa nga palë, që kanë konsideruar se u janë shkelur të drejtat në vendin e punës.

Të dhënat e tij për vitin e kaluar tregojnë, po ashtu, se nëntë qytetarë kanë humbur jetën në vendin e punës, 40 kanë marrë lëndime të rënda dhe 139 lëndime të lehta.

Më 12 qershor, Radio Evropa e Lirë ka sjellë rrëfimin e Imer Durakut, një fermer nga fshati Krushë e Madhe, i cili kultivon kultura të ndryshme bujqësore, por ka problem me gjetjen e punëtorëve sezonalë.

Shumë përdorues të rrjeteve sociale, që kanë komentuar rrëfimin e tij, thonë se nuk do të punonin për kaq para.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa dhe njëri prej tyre, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, thotë se, deri para 4-5 vjetësh, ka punuar si elektricist në një kompani private në Kosovë, me një pagë mujore prej 500 eurosh.

Por, siç tregon ai, punëdhënësi nuk e ka paguar me rregull, i ka kërkuar të punojë përtej orarit dhe shpesh pa ditë pushimi – çfarë e ka detyruar të lërë punën.

Nga viti 2018, thotë se ka emigruar në Gjermani me vizë pune, ndërsa një vit më vonë ka marrë edhe gruan dhe tre fëmijët.

“Këtu [në Gjermani] është gjë e sigurt që pagën e merr me kohë, që ke sigurim shëndetësor… Nuk është e lehtë jeta as këtu, por ka rregulla që respektohen. Edhe këtu duhet të punosh shumë për të jetuar dhe për të pasur standard të mirë”, thotë 47-vjeçari.

Sikur të respektoheshin të drejtat e punëtorëve dhe pagat të ishin më të larta, ai thotë se do të kthehej në Kosovë.

Ambasada gjermane në Prishtinë ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se, brenda vitit, lëshon rreth 5,500 viza pune për aplikimet që bëhen nga qytetarët e Kosovës.

Sektori privat vs. sektori publik

Ligji i Punës në Kosovë parasheh 40 orë pune në javë, kontratë pune, pushim vjetor me pagesë e të tjera.

Punëdhënësi më i madh në Kosovë është sektori privat, me më shumë se 220 mijë të punësuar. Paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 380 euro.

Në sektorin publik janë të punësuar mbi 80 mijë persona, ndërsa paga mesatare bruto atje është rreth 620 euro.

Bujqësia, gastronomia, ndërtimtaria dhe tregtia raportojnë më së shumti vështirësi në gjetjen e punëtorëve.

LEXO EDHE:

Back to top button