Ndërtimi i ambulancës modulare në Butel ka mbetur në harresë

Ndërtimi i ambulancës modulare në Butel ka mbetur në harresë

Gazetare: Melihate Rustemi

Mbeturinat e hedhura gjithandej dhe bari i pa kositur thuajse kanë mbuluar gjithë ambulancën modulare në Butel. Çdo gjë rreth saj ka nisur të shkatërrohet ndërsa për mirëmbajtjen askush nuk kujdeset.

“Në ambulancën modulare në Butel tashmë tre muaj nuk po punohet asgjë. Brenda këtij objekti thuhet se kanë përfunduar të gjitha punimet mirëpo në të njëjtën nuk është vendosur asnjë pajisje që ka të bëjë me shërbimet shëndetësore. Akoma nuk dihet nëse ky objekt do të dislokohet ose do të mbetet në te njëjtin vend dhe do të lëshohet në përdorim siç tashmë ka paralajmëruar Ministria e Shëndetësisë”, raporton Melihate Rustemi, gazetare e Alsat.

Nga komuna e Butelit mbeten në qëndrimin se ambulanca modulare duhet të dislokohet me qëllim që hapësira të lirohet për realizimin e projektit për ndërtimin e një poliklinike me themele. Banorët kërkojnë lëshimin në përdorim të ambulancës modulare, nëse e njëjta është e sigurt dhe plotëson të gjitha kushtet për punë.

“Pse mos të lëshohet në përdorim, bukur është. Ne jemi të moshuar, detyrohemi të shkojmë në këmbë deri atje lartë, nuk mundem, më dhembin këmbët. Nuk di përse nuk po e lëshojnë

“Tashmë një vit që është ndërtuar dhe akoma nuk po e hapin. Po shkojmë në një objekt për askund”

“Nëse çdo gjë është e sigurt duhet të lëshohet në përdorim. Shkojmë lart te ambulanca, kushtet janë për askund”.

“Patjetër të lëshohet në përdorim, përse jo. Ka shërbime të cilat duhet ta konfirmojnë nëse është e sigurt ose jo”

Në mungesë të ambulancës, banorët e Butelit shërbimet shëndetësore po i marrin në objektin e Shoqatës së pensionistëve. Ata shprehën të revoltuar për kushtet e vështira në këtë objekt./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button