Nxënësit e shkollave të mesme ankohen për mungesë të teksteve mësimore

Nxënësit e shkollave të mesme ankohen për mungesë të teksteve mësimore

Gazetare: Melihate Rustemi

Dy ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, disa nxënës të arsimit të mesëm iu rikthyen shkollës për t’i dorëzuar librat e vitit paraprak dhe për t’u furnizuar me ato të vitit vijues. Siç thanë nxënësit, sërish u përballën me mungesë librash ndërsa shumë prej tyre ishin të dëmtuara ose si­ç i quajnë nxënësit, gjysmë libra.

“Klasa jonë është furnizuar me të gjitha librat por ka klasa akoma pa u furnizuar. Më mungon anglishtja, gjeografia dhe gjermanishtja. Ndoshta nxënësit e vitit të kaluar i kanë humbur, nuk i kanë ruajtur ose nuk i kanë kthyer”, tha një nxënës.

“Të gjitha i mora përveç gjeografisë, gjermanisht dhe gjuhë angleze që mungojnë. Ndoshta nuk janë kthyer prej pushimi edhe nuk kanë ardhur t’i kthejnë”, u shpreh një nxënëse.

“Problemi edhe këtë vit vazhdon me mungesën e librave të gjuhës gjermane dhe gjuhë angleze. Shpresojmë që vitet e tjera të kemi libra”, deklaroi një nxënëse.

Mësimdhënësi i gjeografisë, Burim Aliu sqaron se libri i gjeografisë për vitin e dytë gjimnaz sërish do të mungojë. Sipas Aliut, libri u tërhoq për shkak të fyerjeve dhe ofendimeve ndaj popullit shqiptar.

“Prapë do të kemi problem, sidomos me lëndën e gjeografisë për vitin e dytë gjimnaz. Libri ekziston, e dimë se si ishte edhe ai u tërhoq. Ne mundohemi, unë shpjegimet i bëj pa libër, me përgatitjet e mia. Ju japim material, i njëjti material është mirëpo ato çështjet prekëse ku janë nuk i shpjegojmë edhe ata nuk i shohin, se më parë kur i shihnin reagonin”, u shpreh Burim Aliu, profesor i gjeografisë.

Nga Ministria e Arsimit thanë të gjitha tekstet shkollore që janë miratuar deri më tani do tu shpërndahen shkollave deri më 1 Shtator. Përveç furnizimit me libra, disa nga nxënësit e arsimit të mesëm e shfrytëzuan këtë ditë edhe për marrjen e dëftesave për vitin e kaluar shkollor. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button