Optimizëm për përparim në negociata pas zgjedhjeve në Bullgari

Autoritetet vendore janë optimistë se menjëherë pas zgjedhjeve në bullgari, komunikimi mes dy vendeve do të jetë më racional. Intensifikimi i komunikimit dhe përmirësimi i raporteve, sipas ministrit të Jashtëm Bujar Osmani, do të nënkuptonte një mundësi negociatat e Maqedonisë në muajt e verës.

Duke e ditur se ekziston potencial i mjaftueshëm në të dyja vendet për të rikthyer këtë normalitet në komunikim, këtë racionalitet në komunikim, unë jam shumë optimist se prej të hënës ne fillojmë me një dinamikë të re të komunikimit me Republikën e Bullgarisë, që nënkupton angazhim shtesë në muajt që vjen, me qëllim të kapjes së mundësisë optimale për fillimin e bisedimeve në samitet e qershor-korrikut të këtij viti-tha Bujar Osmani, MPJ.

Marrëdhëniet mes Shkupit e Sofjes periudhën e fundit hynë në fazë të tensionuar, aq sa dy shtetet shkëmbyen nota proteste mes njëra tjetrës. Megjithatë zgjedhjet parlamentare në Bullgari mbahen nesër dhe sipas sondazheve, partia GERB e kryeministrit, Bojko Borisov sërish del fituese me rreth 28% të votave, përkundër opozitares Partia Socialiste e cila është e dyta me rreth 19%. Sondazhet vlerësojnë se VMRO-ja e Zv/kryeministrit aktual, Krasimir Karakaçnov nuk do të kalojë pragun për të hyrë në parlamentin bullgar.

Aktiviteti zgjedhor në Bullgari do të caktojë nëse e djathta ose e majta do të ketë më shumë përfaqësues në Parlament. Pra nëse dalin rreth 45% e votuesve bullgarë atëherë GERB-ja e Borisovit dhe partnerët e tij potencial për koalicion do të mbesin në pushtet. Por nëse dalja e votuesve kalon më shumë se 51% atëherë mund të krijohen mundësi që opozita të formojë Qeveri të re. Megjithatë druajtja nga pandemia, mund të ndikojë që më të moshuarit të mos dalin në votime. Po ashtu vlerësohet se në parlamentin Bullgar pas këtyre zgjedhjeve mund të hyjnë 6 deri në 8 parti. Kjo për faktin se në këto zgjedhje garojnë edhe parti dhe koalicione të cilat gjatë verës së kaluar merrnin pjesë në protesta kundër pushtetit të GERB-së. Për zgjedhjet e së dielës në Bullgari do të votohet edhe në Maqedoni. Shtetasit bullgar në vendin tonë do të votojnë në përfaqësitë e tyre diplomatike dhe konsulore dhe në pesë qendra të votimit në Shkup, në Shtip, në Strumicë, në Manastir dhe në Ohër.

Mefail Ismaili

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button