Përplasje gjeopolitike: Vuçiq kundërshton sanksionet e SHBA-së ndaj bizneseve kineze
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë në mbrojtje të kompanisë kineze Serbia Zijin Copper pasi autoritetet amerikane ndaluan importin e bakrit dhe produkteve të saj në SHBA për shkak të dyshimeve për përdorim të punës së detyruar.
Pavarësisht këtyre akuzave, Vuçiq ka zgjedhur të mbrojë kompanitë kineze, duke argumentuar se ato kanë rëndësi të madhe për ekonominë serbe dhe punësimin në vend.
Vuçiq e cilësoi vendimin e SHBA-së si të dëmshëm për Serbinë dhe tha se shteti do të bëjë gjithçka që mundet për ta ndihmuar kompaninë me bazë në Bor që të tejkalojë problemet e krijuara nga masa amerikane.
“Besoj se përmes dialogut me amerikanët do të mund të ndihmojmë të paktën disi kompaninë nga Bori, e cila punëson 7.000 njerëz dhe mban gjallë lindjen e Serbisë”, deklaroi ai gjatë një vizite në punimet e Korridorit të Frushka Gorës.
Sipas tij, ‘Serbia po paguan çmimin e rivalitetit gjeopolitik mes SHBA-së dhe Kinës’.








