Personat “fantazmë” në Tetovë kanë filluar të pajisen me dokumente personale

Personat “fantazmë” në Tetovë kanë filluar të pajisen me dokumente personale

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Një numër i madh i banorëve të komunitetit romë në qytetin e Tetovës, të cilët ishin “fantazmë” për institucionet kanë filluar të pajisen më numra amë dhe dokumente personale. Lagja me më shumë persona “të padukshëm” për institucionet është ajo e njohur si Lagjja e Krasniqëve, por sipas Shefkete Hamza, drejtuese e Njësisë projektuese për implementimin e projekteve për romët në Tetovë, ky numër vjen gjithnjë duke u zvogëluar.

“…16 persona tashmë kanë letër njoftimi, ndërsa dhjetë persona janë në proces të marrjes së tij. Personat që nuk kanë dokumente janë më së shpeshti të ardhur nga Kosova, por kur jemi në terren ankohen se prej 30 vitesh janë këtu dhe s’kanë dokumente. Personat e këtillë duhet të identifikohen në SPB sektori për të huaj, për të marrë certifikatë për personat e huaj, dhe duhet shtatë vite radhazi të jenë banorë aktiv këtu që të marrin letërnjoftime, por shpesh dështojnë sepse ndodhin shpërngulje nëpër komunat tjerë”, tha Shefkete Hamza, drejtuese e Njësisë projektuese për implementimin e projekteve për romët në Tetovë.

Përveçse pa dokumente, shumica e banorëve të kësaj zone jetojnë nëpër kasolle të improvizuara, ndërkohë që banesat sociale që iu premtohet tash e më shumë se dy dekada nuk janë ende askund. Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami, është shprehur se për këtë lagje po bëhet plani gjeneral dhe ai detal urbanistik, pas çka, vitin e ardhshëm, premton që do ketë fillim të ndërtimit të banesave kolektive për këtë lagje.

“Si komunë e Tetovës kemi njësinë projektuese për romët dhe pakicat e tjera në kuadër të komunës që kanë aplikuar në disa projekte që financohet nga USAID dhe kanë aplikuar edhe për përmirësimin e infrastrukturës në disa lagje me shumicë rome, por kërkesa jonë ka qenë që të na mundësohet edhe përpilimi i planit gjeneral dhe ndryshimi i planit detal dhe brenda, 2025 punojmë që atë pjesë ta urbanizojmë dhe bashkë me Ministrinë e socialit dhe transportit të aplikojmë për ndërtimin e banesave sociale”, tha Bilall Kasami, Kryetar in komunës së Tetovës.

Banorët e komunitetit romë që jetojnë në këtë lagje, kërkojnë me urgjencë rregullimin e rrugës, kanalizimin dhe heqjen e mbetjeve nga shtrati i lumit.

“Kontejnerë për mbetje të na sjellin mos t’i hedhim më në lumë. Kemi nevojë për kanalizimin për pastrimin të kemi më mirë pastërtinë mos t’i hedhim në lum më mbetjet. Udha të na rregullohet”, tha një banor.

“Udha duhet të ndreqet, kontejnerë të na sjellin, lumi të pastrohet, shumë mbetje ka. Ne nuk duam të hedhim por s’ka kontejnerë”, shtoi një banor tjetër.

Nga Njësia projektuese për përpilimin e projekteve për romët në Tetovë, thonë se për intervenim kanë nevojë edhe disa lagje të tjera të cilat janë po ashtu në gjendje të mjerueshme, por që kanë projekt për rregullimin e nevojave të këtij komuniteti./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button