Shumë shkolla kanë mungesë stafi

Shumë shkolla kanë mungesë stafi

Gazetare: Melihate Rustemi

Ekipi i Tv Alsat udhëtoi drejt shkollës fillore “Alija Avdoviç” të fshatit Batincë të komunës së Studeniçanit për të parë nga afër se si po funksionon shkolla, pa sekretar, pedagog e psikolog. Punën e gjithë këtyre personave që mungojnë, për momentin po e kryen defektologia e shkollës.

Qenan Imeri, drejtor i shkollës tha se në Ministrinë e Arsimit me kohë kanë dorëzuar të gjitha kërkesat për financime të reja por akoma mbeten në pritje të një përgjigjeje.

“Ne kemi dërguar kërkesë në Ministrinë e Arsimit për pedagog, një punëtor social, për ndihmës drejtor edhe para disa ditëve u dëgjova me përgjegjësin në ministri që e kemi ne si komunë edhe na premtuan dhe kemi shpresa që do të na japin pëlqime të reja, financime të reja për këto punëtor. Për momentin kemi vetëm një defektologe, psikologja është në pushim të lindjes dhe unë si drejtor me defektologen jemi duke i kry të gjitha punët”, tha Qenan Imeri, drejtor I sh.f “Alija Avdoviç”, fshati Batincë.

Sipas Imerit, shkolla ka nevojë edhe për financa për punësimin e mësimdhënësve, pasi është rritur numri i nxënësve, të cilët janë transferuar në objektin e ri shkollor në lagjen Lubosh të fshatit Batincë.

“Afër 100 nxënës na u kthyen në këtë shkollë, na u rrit numri i nxënësve dhe hapëm paralele të reja. Kemi tre paralele të reja në gjuhën maqedonase dhe dy paralele në gjuhën turke. Kemi kërkuar financime të reja, pëlqim. Deri tash na kanë dhënë për dy arsimtarë pëlqime të reja, për të tjerët jemi duke pritur, na kanë premtuar që do të na japin Pagesat, rrogat i bëjmë prej bllok dotacioneve mirëpo nga ana tjetër kemi problem se gjitha mjetet financiare të buxhetit të shkollës na shkojnë në rroga kështu që për mirëmbajtjen e shkollave na mbetet shumë pak”, shtoi ai.

Edhe nga Komuna e Stueniçanit thanë se kanë kryer të gjitha procedurat rreth kërkesës për financime të reja dhe të njëjtat janë dorëzuar me kohë në dikasterin e Arsimit. Nga kjo e fundit sqaruan se të gjitha kërkesat do të shqyrtohen ndërsa për çdo lloj vendimi komunat do të informohen me kohë./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button