Situatë alarmante me numrin e nxënësve: Tre mijë më pak të regjistruar në klasë të parë, mbyllen 26 shkolla

Gazetare: Amila Rashiti

Viti i ri Shkollor 2026/27 do të fillojë me rreth 3 mijë nxënës më pak të regjistruar në klasën e parë në krahasim me vitin e kaluar. Por nga Ministria e Arsimit thonë se ky numër mund të zbutet pasi regjistrimi i nxënësve do të vazhdojë edhe gjatë shtatorit

“Kjo nuk është shifra përfundimtare, sepse, siç thashë edhe më herët gjatë gjithë muajit gusht dhe gjatë gjithë muajit shtator ne vazhdojmë të regjistrojmë nxënësit e klasës së parë që kanë vonuar në përgjigjen ndaj thirrjes për regjistrim”, deklaroi Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Për shkak të uljes së numrit të nxënësve, me fillimin e vitit të ri shkollor do të mbyllen edhe 26 shkolla. Sipas të dhënave të Ministrisë aktualisht 200 paralele me pak do të ketë në arsimin fillor dhe 100 paralele më pak në arsimin e mesëm.

“Çfarë do të ndodhë me shkollat që nuk kanë nxënës? Ato do të mbyllen. Këtë vit presim të përfundojmë më 26 shkolla të mbyllura, në të cilat nuk ka regjistrime të nxënësve të klasës së parë dhe ku mësojnë fëmijë deri në klasën e 5 -të, 7-të ose 8-të. Situata ndryshon nga një shkollë në tjetër”, theksoi Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Janevska thotë se riorganizimi i shkollave do të vazhdojë, duke u bazuar në treguesit demografik dhe organizimit të mësimdhënies. Në dhjetë vitit e fundit janë mbyllur gjithsej 150 Shkolla Fillore. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, numri i nxënësve po zvogëlohet ndjeshëm, veçanërisht në arsimin fillor. Vetëm në dy vjet, ka 8 mijë nxënës më pak. Nga 182 mijë e 124 në vitin shkollor 2023/2024 në 174,040 në vitin shkollor 2025/2026, një rënie prej 4.4 për qind. Vetëm në vitin e fundit shkollor, numri i nxënësve të shkollave fillore është ulur me 6,587 nxënës, ose 3.6 për qind. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, nga faktorët kryesorë për zvogëlimin e regjistrimeve të nxënësve janë: emigrimi, rënia e natalitetit por edhe ndryshimet demografike./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button