Snezhana Paunoviq i kërkoi falje Vuçiqit dhe Qeverisë, jo shqiptarëve të Kosovës, BE me pikëpyetje si mund të mbetet ende ministre?
Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Qeverisë për deklaratën e saj shoviniste për “spastrimin etnik të Kosovës”. Megjithatë ajo nuk u kërkoi falje shqiptarëve, por u arsyetua duke thënë se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit.
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres të Qeverisë serbe, Snezhana Paunoviq, lidhur me “spastrimin etnik” në Kosovë dhe shprehu habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre. Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë.
“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi Marta Kos, Komisionare për Zgjerim e BE-së.
Kjo deklaratë u dënua edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Sipas Londrës, gjuha e përdorur nga Paunoviq është “e neveritshme” dhe referencat për spastrim etnik s’kanë vend në shoqërinë e sotme. Përmes një deklarate, një zëdhënës i Zyrës për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, tha se në kohën kur shtetet në Ballkanin Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe shumetnike “deklaratat si këto synojnë të rihapin përçarjet e vjetra dhe të nxisin tensione”.
Për deklaratën reagoi edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili theksoi se ajo nuk përfaqëson politikën e presidencës apo të Qeverisë së Serbisë. “Politika jonë bazohet në dialog, kompromis, paqe dhe stabilitet, e kurrë në spastrim etnik. Ky është qëndrimi ynë dhe duhet të jetë krejtësisht i qartë”, deklaroi Vuçiq.
Por ndryshe nga Vuçiq, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq tha se deklaratën e Paunoviqit nuk e sheh si një qëndrim për të kaluarën, por si një mesazh se ajo ideologji nuk është braktisur. Kandiq ia kujtoi Paunoviqit se ajo personalisht është nga Peja dhe duke qenë kështu, është në dijeni se në këtë qytet, forcat e Sllobodan Millosheviqit kanë kryer shumë krime kundër shqiptarëve.
“Ajo e di shumë mirë se më 27 mars 1999, policia serbe dëboi pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare nga Peja. Njerëzit u larguan në këmbë në kolona drejt Malit të Zi, ndërsa me autobusë u deportuan në Shqipëri. Ajo i njeh gjithashtu krimet në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, ku civilët u vranë dhe trupat e tyre u dogjën. Ajo i di të gjitha këto, por megjithatë e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që ai nuk u zbatua në vitin 1998”, ka shkruar Kandiq.
- Policia serbe dëboi shqiptarët drejt Shqipërisë e Malit të Zi
- Ajo i din krimet e Millosheviqit ndaj shqiptarëve
- Ajo i njeh krimet në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq e Lubeniq
Kosova më 14 korrik e shpalli Paunoviqin person të padëshiruar, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen ose kalimin nëpër territorin e Kosovës./Alsat.








