Shumë negociata, zero rezultat / Si u zhvillua procesi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Gazetare: Ajnur Bafqari
Pa marrëveshje politike, pa ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe me një obligim të pa përmbushur të Axhendës Reformuese, që i kushtoi vendit 4,2 milion euro para evropiane. Kështu përfundoi afati i 15 korrikut, pasi partitë nuk arritën konsensus për paketën e ndryshimeve zgjedhore.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u shndërruan në një nga proceset më të gjata dhe më të debatueshme politike të muajve të fundit.
Më 3 mars të këtij viti, 4 muaj para afatit për reformat zgjedhore, u formua grupi i punës me përfaqësues të partive parlamentare , që punoi në një dokument me ndryshimet e përgatitura nga Ministria e Drejtësisë.
Në fazën fillestare u diskutuan disa çështje të rëndësishme, përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR, listat e hapura, modeli zgjedhor, financimi i fushatave, administrimi i proceseve zgjedhore dhe mënyra e votimit të diasporës. Që në këtë fazë u pa se partitë kishin qëndrime të ndryshme për çështjet më të rëndësishme.
Por, procesi pësoi goditjen e parë kur LSDM u tërhoq nga grupi i punës. Pas këtij vendimi, dukej se miratimi i Kodit Zgjedhor brenda afateve të parashikuara do të ishte i vështirë, por negociatat vazhduan. Në fund të qershorit, propozim-ndryshimet mbërritën në Kuvend, ndërsa modeli zgjedhor mbeti i pandryshuar. Në këtë fazë, pothuajse të gjitha debatet politike u përqendruan te mënyra e votimit të diasporës, që edhe u bë pengesa kryesore për arritjen e një konsensusi të gjerë.
Shumica parlamentare, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, deklaroi se ishte e gatshme të pranonte pothuajse të gjitha propozimet e opozitës lidhur me pjesët e tjera të Kodit Zgjedhor, përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR, financimin e fushatave dhe zgjidhjet teknike të procesit zgjedhor. Kushti i vetëm i shumicës ishte përfshirja e votimit elektronik ose me postë për qytetarët që jetojnë jashtë vendit. Sipas pushtetit, kjo do të rriste pjesëmarrjen e diasporës dhe do ta afronte vendin me praktikat moderne zgjedhore.
Në anën tjetër, LSDM e kundërshtoi kategorikisht këtë propozim, duke argumentuar se votimi elektronik dhe ai me postë mund të krijojnë rrezik për manipulime dhe cenim të integritetit të procesit zgjedhor. BDI u deklarua në favor të votimit elektronik të diasporës, ndërsa VLEN mbështeti mundësinë e votimit elektronik ose me postë. Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela kërkoi që çdo zgjidhje e re të vlejë për të gjitha ciklet zgjedhore, ndërsa E Majta këmbënguli që prioritet të jetë ndryshimi i modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore, duke kundërshtuar fokusimin vetëm te diaspora.
Ndërkohë, retorika politike u ashpërsua. Pushteti akuzoi LSDM-në, BDI-në dhe të Majtën se po e bllokonin reformën për interesa partiake dhe nga frika e rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme. Nga ana tjetër, opozita akuzoi qeverinë se përmes insistimit në votimin elektronik dhe atij me postë, po tentonte të manipulonte zgjedhjet.
Me afrimin e afatit ligjor, gjatë javës së parë të korrikut u zhvilluan disa raunde takimesh mes koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe përfaqësuesve të partive politike, por pa sukses. Shumica parlamentare doli me propozim të ri, që opozita të harmonizojë qëndrimet me kushtin e vetëm votimin e diasporës, duke u zotuar se gjithçka tjetër do ta pranonin plotësisht. E majta inicioi takime me partitë opozitare për të koordinuar qëndrimet, por edhe këto përpjekje përfunduan pa rezultat.
Partitë qëndruan të shurdhëta edhe ndaj thirrjeve të komisares për zgjerim, Marta Kos dhe paralajmërimit për humbjen e mbi 4 milionë eurosh nëse nuk miratohen ndryshimet.
“Plani i rritjes është një mënyrë e re që BE të lidhet me vendet kandidate. Ne kemi instrumente financiare, kjo nuk është bamirësi. Ne mund të japim grante dhe borxhe vetëm nëse vendet zbatojnë reforma dhe ky Kod Zgjedhor është 4,2 milionë. Për mua këto janë shumë para. “- deklaroi komisarja për zgjerim, Marta Kos, gjatë vizitës së saj në Shkup, më 8 korrik./Alsat.mk.








