Takimi Kovaçevski-Mickoski, pa epilog

Takimi Kovaçevski-Mickoski, pa epilog

Gazetare: Fatlume Dervishi

Disa opsione të propozuara nga kryeministri Dimitar Kovaçevski ishin të papranueshme për kreun e opozitës Hristijan Mickoski në takimin e liderëve për ndryshimet kushtetuese kurse ata që u propozuan nga Mickoski ishin të papranueshme për Kovaçevskin. Liderët përfunduan këtë takim pa epilog duke i dhënë kohë njëri tjetrit dhe partisë oponentë të mendohet për pozitat e saj. Mickoski propozoi qeveri të zgjeruar pa BDI-në e cila do të sigurojë garanci nga vendet anëtare të BE-së për identitetin dhe gjuhën maqedonase dhe do të kërkojë nga Bullgaria zbatim të vendimeve të Gjykatës së Strazburgut. Më pas, është i gatshëm të pranojë ndryshime kushtetuese.

“Të shkojmë në zgjedhje të parakohshme të cilat do të mbaheshin në tre data që i dhashë për në vjeshtë, të formohet qeveri e unitetit të zgjeruar kombëtar në të cilën nuk do të jetë pjesë BDI-ja dhe meqë asnjë vend anëtar i BE-së nuk ka problem me identitetin shekullor maqedonas atëherë unë jam i gatshëm të bisedoj me disa kryeministra të vendeve anëtare që në samitin e ardhshëm të Këshillit të Bashkimit Evropian të votojnë garancë për gjithë këtë që ne e themi. Takimi i liderëve i tregoi pozitat e qarta, se në këtë moment nuk ka shumicë 2/3 në Kuvend. Sa më shpejt të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri megjithatë kishte propozim tjetër, ndryshime kushtetuese dhe zgjedhje menjëherë pas tyre.

“E kuptova se për Mickoskin dhe për VMRO-DPMNE-në është e rëndësishme që të jenë pjesë e qeverisë. Propozova që bashkë ta votojmë hapjen e Kushtetutës me 2/3, nga të gjithë deputetët në Kuvend të cilët e mbështesin rrugën evropiane të shtetit dhe menjëherë të nesërmen VMRO-DPMNE-ja të hyjë në qeveri, për të cilën gjë LSDM-ja do të heqë dorë nga gjysma e pozitave ministrore për kuadrot e VMRO-DPMNE-së. ajo qeveri do ta zbatojë procesin e ndryshimeve kushtetuese, do ta përfundojë procesin e skriningut, do t’i mbyllë ndryshimet kushtetuese”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kryeministri tha se Mickoskit në qeverinë e zgjeruar i ka ofruar gjysmën e pozitave ministrore të partisë së tij por tha se nuk pranon të flasë në emër të BDI-së. E nga ana tjetër, BDI-ja u prononcua.

“BDI është e gatshme të mbështesë një Qeveri pa BDI deri në zgjedhje, nëse opozita i përkrah ndryshimet kushtetuese të cilat duhet të hyjnë në fuqi para formimit të asaj qeverie.

E ardhmja evropiane e qytetarëve është e para!”, thonë nga BDI.

Mickoski ka pranuar të shqyrtojë edhe mundësinë që VMRO-DPMNE-ja të bëhet pjesë e qeverisë së zgjeruar pa BDI-në dhe të votojë ndryshime kushtetuese të cilat do të hynë në fuqi kur vendi të bëhet anëtar i plotfuqishëm i BE-s. Kjo sipas kryeministrit është konsideruar si jashtë kornizës negociuese me BE-në.

Mickoski është i gatshëm që negociatat mes palëve të vazhdojnë.

“Propozimi im është që nuk ka nevojë për më shumë gjimnastikë në publik. Unë i thash të mos shpejtohet me konstatimin, le të mendojë, ofertat janë në tavolinë, mbetem në dispozicion për konsultime shtesë por këto janë parimet rreth të cilave do të sillet zgjidhja të cilën ne si VMRO-DPMNE mund të mbështesim”, shtoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri Kovaçevski nga ana tjetër do ta vazhdojë procedurën e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend edhe pa qenë i sigurt për 80 vota nga deputetët.

“Qeveria do t’i shqyrtojë dhe si propozues do t’i dorëzojë në Kuvend ku ka procedurë të qartë në kuadër të të cilave bëhen ndryshimet kushtetuese dhe vlerësoj se ajo procedurë duhet të fillojë dhe ndërkohë të gjithë deputetët të pajtohen ta mbështesin integrimin evropian të vendit”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kreu i opozitës Mickoski vazhdon të jetë i sigurt se asnjë nga deputetët e tij nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese përkundër vullnetit të partisë, me këto kushte dhe me këto kushtëzime.

LEXO EDHE:

Back to top button