Gazetar: Bashkim Sulejmani
Fëmija 7 vjeçar, i cili ndërroi jetë në Spitalin Klinikë të Tetovës është varrosur në fshatin Çellopek të komunës së Bërvenicës. Varrimi i 7 vjeçares ndodhi edhe përkundër urdhrit të Prokurorisë së Tetovës për obduksion të trupit të pajetë. Megjithatë familja që në momentin kur mjekët i njoftuan për vdekjen e 7 vjeçares, akuzuan për neglizhencë mjekësore dhe refuzuan autopsinë.
“Prokurori menjëherë që mbrëmë, fillimisht gojarisht, pastaj sot në mëngjes edhe me shkrim, ka dhënë urdhëresë për obduksion të trupit të pajetë të fëmijës”, thonë nga Prokuroria Publike.
Ndërkohë Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë konfirmon se familja nuk ka lejuar kryerjen e autopsisë. Tha se po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
“Nga Spitali Klinik i Tetovës është njoftuar se një vajzë ishte sjellë pa shenja jete në Repartin e Anestezisë, pasi më parë kishte qenë në Repartin e Pediatrisë në spitalin e njëjtë. Menjëherë është vepruar sipas raportit dhe u njoftua prokurori publik, i cili konstatoi se familja nuk kishte lejuar kryerjen e autopsisë dhe e kishte marrë trupin e vajzës për varrim. Në bashkëpunim me prokurorin publik, po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit”, thonë nga SPB-Tetovë.
Nga ana tjetër, Spitali Klinik i Tetovës por edhe Ministria e Shëndetësisë, kanë formuar komisione për hetimin e vdekjes së shtatë vjeçares nga fshati Çellopek.
“Unë kam qenë në vendngjarjes dhe në moment kam thirr komisionin disiplinor për protokoll që të shohim nga ana e spitalit klinik të Tetovës a ka qenë në rregull, a është pranuar si duhet dhe a janë bë gjitha ekzaminimet e duhura mjekësore”, tha Erzen Elezi, Drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.
Gazetari: Para se të arrij në spital a ka qenë në mjek amë vajza?
“Po ka qenë tek mjeku amë dhe ka pranuar terapi intravenoze që është e jashtëligjshme. Nuk është e ligjshme, është e kundërligjshme që të jepen terapi në ambulanca private. Apeloj se shumë raste na vijnë në spital me gjendje të rëndë sepse marrin terapi nëpër ambulanca private, pastaj kur përkeqësohet gjendja i sjellin në spitalin e Tetovës”.
Sipas njoftimeve paraprake shtatëvjeçarja është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës në mbrëmje, ku i janë bërë ekzaminimet dhe sipas familjarëve i janë dhënë disa infuzione, që në orët e hershme të mëngjesit gjendja të përkeqësohet dhe t’i telefonojnë se fëmija ka ndërruar jetë./Alsat.mk








