Tri frima të naftës manipuluan në DAP, Llukarevska: Parandaluam vjedhjen e 2,6 milionë euro

Tri frima të naftës manipuluan në DAP, Llukarevska: Parandaluam vjedhjen e 2,6 milionë euro

Gazetar: Adnan Qaili

Drejtoria e të ardhurave publike parandaloi një krim financiar prej 2,6 milion eurosh nga tri kompani, të cilat tentuan që përmes faturave fiktive të përfitojnë nga kthimi i TVSH-së në tri vitet e fundit. Nga DAP thanë se zyrtarët tatimor kanë penguar pagesën prej gjithsej 160.117.122 denarë dhe për tatim personal prej gjithsej 18.969.998 denarë. Tri firma nga rajoni i Likovës-Kumanovës të evidentuara në regjistrin qendror me veprimtari të derivateve sipas Llukarevskës, kanë prezantuar fatura fiktive kinse për qarkullim të naftës duke mos pasur as licencë nga KRRE, as pika të shitjes së karburantit me pakicë, as magazina me cisterna e as stoqe për shitje të karburanteve me shumicë. Të përfshirë në skemë janë edhe furnitorët, që qarkulluan derivate përmes këtyre firmave, por dhe kontabilisti i njëjtë që ka manipuluar dokumentet.

“Në Regjistrin Qendror kanë ndryshuar emrin dhe adresën e firmave, por në momente të caktuara kritike kanë ndryshuar edhe strukturën pronësore dhe udhëheqëse, ku si pronarë të ri janë paraqitur shtetas të huaj. Bëhet fjalë për tri kompani tatimpaguese dhe pesë furnitorë. Në rastin e parë dhe të tretë, pronari fillestar ishte i njëjti, para se të bëhej ndryshimi i pronësisë dhe i drejtorit, i cili 2023 ka ndryshuar edhe mbiemrin për arsye familjare. Kontabilisti i autorizuar i të dyja këtyre firmave ishte i njëjti person”, deklaroi Sanja Llukarevska, Drejtoreshë e UJP-së.

Nëpunësit e autorizuar të DAP kanë kryer tre kontrolle në bazë të TVSH-së dhe një kontroll në bazë të tatimit mbi të ardhurat personale, një kontroll inspektues për gjendjen e rezervave, gjegjësisht inventarin, si dhe pesë kontrolle në marrëdhëniet e biznesit. Ata thonë gjithashtu se po vazhdon një procedurë për një tatimpagues, i cili pas përfundimit të këtij kontrolli të TVSH-së dhe sipas analizave është hapur një urdhër si për tatimin mbi fitimin ashtu edhe për tatimin mbi të ardhurat personale.

“Kontrollet janë kryer për 6 muaj me radhë për këto tri kompani, të cilat operojnë në rajonin e Likovës dhe Kumanovës. Kompania e parë në hetim, pasi me fatura fiktive u përpoq të kthej përmes TVSH-së 79.350.190 denarë, ka ndërruar pronarin, duke u riemëruar një shtetas nga Kroacia. Kompania e dytë në hetim, pasi u përpoq të zhvatë 26.090.205 denarë, ndërroi pronësinë në një shtetas të Kosovës. Kompania e tretë që kishte pronar fillestar të njëjtin me kompaninë e parë, pasi krijuan fatura fiktive për kthim të TVSH-së në vlerë prej 54.676.727 denarë, ri emëruan pronarin me një shtetas tjetër të Kosovës”, njoftojnë nga DAP.

Provat, siç tha ajo, i janë dorëzuar organeve hetimore për veprim të mëtejmë. Nga Drejtoria e të ardhurave publike thonë se më datë 15 Nëntor 2023 kanë dorëzuar një raport me shkrim në Prokurorinë Publike dhe në Ministrinë e Brendshme, si dhe më datë 1 Dhjetor 2023 një raport me shkrim kanë dorëzuar në Drejtorinë e Policisë Financiare. Nga këto tre organe akoma nuk ndajnë me publikun për masat e marra, por që thonë se janë duke shqyrtuar dosjet me procedim të mëtutjeshëm. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button