Ukrainasit përballen me mungesë të rrymës

Ukrainasit përballen me mungesë të rrymës

Luftime të ashpra në lindje të Ukrainës. Rusia ka vazhduar të shënjestrojë infrastrukturën civile, duke lënë miliona ukrainas pa energji elektrike. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, tha se ushtria ruse kreu dhjetë sulme ajrore dhe dhjetë sulme me raketa. Ushtria ukrainase tha se kanë zmbrapsur me sukses gjashtë sulme ruse në Donbas, ndërsa forcat ajrore të Kievit nisën shtatë sulme në zonat e përqendrimit të personelit rus në lindje. Autoritetet ukrainase në Kiev po paralajmërojnë për një “mbyllje të plotë”, ndërsa temperaturat nën zero po mbërthejnë vendin.

Kryetari i qytetit, Vitali Klitschko, tha se autoritetet po përpiqen të rikthejnë në funksion rrjetin elektrik të qytetit. Sulmet ruse kanë shkaktuar dëme të rënda në rrjetin energjetik të kryeqytetit ukrainas duke shkatërruar pothuajse gjysmën e sistemit energjetik të Ukrainës.

“Unë mendoj se qëllimi kryesor i rusëve është që ta shkatërrojnë infrastrukturën tonë, të na çojnë në depresion, të krijojnë ndjenjën e pasigurt. Të mendosh se ndoshta ne do të dorëzohemi nga Rusia është gabim. Është vizion i gabuar i Putinit. Pas çdo sulmi, unë flas për njerëzit, për civilët e thjeshtë, nuk janë të dëshpëruar. Ata janë të zemëruar dhe të gatshëm të qëndrojnë dhe të mbrojnë shtëpitë, familjet dhe të ardhmen tonë”, tha Vitaly Klitschko, kryetar i Kievit.

OKB-ja tha se ka frikë nga një krizë humanitare këtë dimër nëse ndërprerjet e energjisë elektrike në Ukrainë vazhdojnë. Ndërkohë ministria ruse e mbrojtjes tha se sulmet e saj në Ukrainë kishin shënjestër infrastrukturën ushtarake dhe energjetike.

LEXO EDHE:

Back to top button